Shqipëri, mbahet konferenca “Sfidat e sigurisë dhe riformimi i gjeopolitikës”

“Influencat joperëndimore në rajon pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës janë bërë më të rrezikshme dhe më të dukshme”, tha kryeparlamentarja shqiptare Lindita Nikolla.

Konferenca me temë “Sfidat e sigurisë dhe riformimi i gjeopolitikës” ka mbledhur në Tiranë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nga rajoni dhe më gjerë, për të diskutuar mbi sfidat e sigurisë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapje të konferencës mbajti një fjalë përshëndetëse kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila tha se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor “ndodhen në kryqëzimin e influencave të qytetërimit perëndimor dhe joperëndimor”.

“Influencat joperëndimore në rajon pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës janë bërë më të rrezikshme dhe më të dukshme”, tha Nikolla.

Kryeparlamentarja e Shqipërisë u shpreh se siguria kibernetike është një tjetër çështje shumë delikate në Ballkanin Perëndimor. “Zhvillimet kibernetike po prekin edhe gjeopolitikën tradicionale dhe po i imponojnë asaj mjaft sfida”, shtoi ajo.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe për sa kohë që në Evropë në horizont po shfaqen re joperëndimore, duhet të kontribuojmë të gjithë, Bashkimi Evropian, NATO, SHBA dhe partnerë të tjerë strategjikë që Shqipëria dhe rajoni të ecin në mënyrë të pakthyeshme drejt destinacionit perëndimor, i cili është edhe destianacioni ynë i natyrshëm”, u shpreh Nikolla.

Pjesë e konferencës ishte edhe James L. Jones, ish-këshilltar për Sigurinë Kombëtare i SHBA-së, dhe ish-komandant Suprem i Forcave të NATO-s në Evropë, i cili duke iu përgjigjur pyetjeve të të pranishmeve foli për luftën Rusi-Ukrainë, reagimin e komunitetit ndërkombëtar mbi sfidat e sigurisë dhe çështje të tjera.

Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Jones tha se “Putin i ka bërë keq llogaritë kur vendosi që të pushtonte Ukrainën”.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet për të vendosur se çfarë është e rëndësishme. Vlerat tona janë të rëndësishme, liritë tona janë të rëndësishme dhe cila është mënyra më e mirë për t’i mbrojtur”, u shpreh Jones.

Në konferencën që u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë ishin të pranishëm edhe deputetë nga vendet e Ballkanit, përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe zyrtarë të institucioneve të ndryshme.

Kategoritë
LajmeRajoni