Shqipëri, miratohet masa arrest me burg për shtetasit e huaj të arrestuar për incidentin në një uzinë ushtarake

Në seancën e sotme është lënë në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan që caktoi për dy shtetasit rusë dhe një shtetas ukrainas masën e sigurisë arrest me burg

Gjykata e Apelit Durrës ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për dy shtetasit rusë dhe një shtetas ukrainas të arrestuar për incidentin në një uzinë ushtarake në Shqipëri, raporton Anadolu Agency(AA).

Në seancën e sotme është lënë në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan që caktoi ndaj shtetasve të huaj masën e sigurisë arrest me burg.

Sipas vendimit të gjykatës së apelit, kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë brenda 45 ditëve.

Kujtojmë se Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan vendosi më 24 gusht 2022 masën e sigurisë arrest me burg për dy shtetasit rusë dhe një shtetas ukrainas që u arrestuan për incidentin në uzinën ushtarake, ndërkohë çështja ndaj tyre kaloi më pas në apel.

Incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh

Më 20 gusht të këtij viti, ndodhi një incident në një uzinë ushtarake në Gramsh të Shqipërisë, ku sipas autoriteteve shqiptare dy shtetas rusë dhe një shtetas ukrainas tentuan të hyjnë në uzinë, ndërkohë kanë përdoruar edhe sprej neoparalizues, ku si pasojë u lënduan dy ushtarakë shqiptarë.

Për ngjarjen në Gramsh shtetasit e huaj u arrestuan për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete” dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

Në lidhje me incidentin në Gramsh, autoritetet shqiptare kanë deklaruar se do të ketë një hetim të plotë rreth ngjarjes.

Kategoritë
LajmeRajoni