Shqipëri, nisen drejt Turqisë dy kamionë me ndihma të ndryshme

Ndihmat që janë mbledhur nga TUMED dhe Fondacioni “Fundjavë Ndryshe”, nën koordinimin e Ambasadës turke në Tiranë, konsistojnë në krevate, çadra, batanije, rroba të ndryshme për fëmijë dhe të rritur, ngrohës dhe materiale higjienike

Nën koordinimin e Ambasadës turke në Tiranë dhe me mbështetjen e organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, janë nisur sot drejt Türkiye-s dy kamionë me ndihma të ndryshme materiale të mbledhura në Shqipëri për familjet e prekura nga tërmetet në Türkiye, raporton Anadolu.

Në nisjen e ndihmave nga Tirana ishin të pranishëm Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, zyrtarë të tjerë të institucioneve turke dhe drejtues të organizatave të ndryshme.

Në një prononcim për mediat, ambasadori Atay tha se Shqipëria mike dhe vëlla i ka qëndruar Türkiye-s shumë afër që në momentet e para të tërmetit.

Ambasadori turk kujtoi se Shqipëria menjëherë ka dërguar drejt zonës së tërmetit ekipet e kërkim-shpëtimit, që po vijojnë për gjetjen dhe shpëtimin e jetëve.

“Dua të falënderoj të gjithë autoritetet shqiptare, gjithë popullin shqiptar, sepse në këto momente të vështira i kanë qëndruar pranë popullit turk. Sot jemi grumbulluar këtu për të nisur ndihmat e para nga Shqipëria për në Türkiye. Nën koordinimin e plotë të ambasadës tonë këtu në Shqipëri dhe bashkëpunim me Shoqatën e Diplomuarve në Türkiye të Shqipërisë (TUMED) dhe Fondacionit ‘Fundjavë Ndryshe’ kemi bërë të mundur grumbullimin e këtyre ndihmave. Ajo çfarë është më emergjente që duhen janë çadrat, ngrohëset, batanijet dhe gjeneratorët”, tha Atay.

Ambasadori Atay tha se në ditët në vijim do të vazhdojnë me grumbullimin e ndihmave, duke bërë thirrje që qytetarët shqiptarë të ndjekin faqet zyrtare për thirrjet që bëhen për ndihmat.

Drejtori e ekzekutiv i Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, në deklaratën e tij për mediat tha se ndihma konsiston në ato më emergjentet, siç janë krevatet dhe çadrat, duke shtuar se do të vazhdojnë të grumbullojmë ndihma materiale, të koordinuara me Ambasadën turke në Shqipëri.

“Ne jemi një popull që kuptojmë shumë mirë vështirësitë dhe sidomos vështirësinë nga pasojat tragjike siç janë këto të tërmetit. Sot këtu kemi vendosur që kontributi i parë të jetë nga ne duke mbushur një kamion plot me ndihma në vlerë 55 mijë dollarë. Ne nuk duhet të harrojmë për asnjë moment që në ditët më të vështira të vendit tonë në 2019, populli turk, qeveria turke ka qenë të gatshëm për të dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët që humbën shtëpitë e tyre në atë fatkeqësi natyrore”, tha Hajdari.

Kryetari i TUMED-it, Egert Haxhiu, në deklaratën e tij tha se janë mbledhur për mbështetjen e tyre për popullin turk.

“E falënderojmë edhe popullin turk që na është gjendur në 2019 gjatë tërmetit”, tha Haxhiu, duke shtuar se dëshirojnë të kontribuojnë me mbështetjen e tyre.

Ndihmat që janë mbledhur nga TUMED dhe Fondacioni “Fundjavë Ndryshe”, nën koordinimin e Ambasadës turke në Tiranë, konsistojnë në krevate, çadra, batanije, rroba të ndryshme për fëmijë dhe të rritur, ngrohëse dhe materiale higjienike.

Kategoritë
BotaLajmeRajoni