Ceremonia qendrore me rastin e 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është mbajtur në Sheshin e Flamurit në Vlorë me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë.
Në Shqipëri shënohet sot Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, ku organizohen ceremoni dhe aktivitete të ndryshme me pjesëmarrjen të zyrtarëve të lartë dhe qytetarëve.
Ceremonia qendrore me rastin e 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është mbajtur në Sheshin e Flamurit në Vlorë me pjesëmarrjen e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, Kryeministrit Edi Rama, Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe zyrtarëve të tjerë.
Zyrtarët vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe pranë varrit monumental të Ismail Qemalit.
Me rastin e 28 nëntorit, zyrtarë të lartë, politikanë dhe drejtues të institucioneve kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.
“Kudo ku janë bashkatdhetarët tanë, i ftoj nga Vlora e Pavarësisë që, në çdo angazhim që kanë e iniciativë që ndërmarrin, të kenë vetëdijen e vendosmërisë, bukurisë, sakrificës, e të çojnë përpara arritjet e Shqipërisë e kombit shqiptar”, ka shkruar presidenti Begaj në rrjetet sociale.
Një mesazh urimi në rrjetet sociale ka publikuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Mesazhe urimi kanë përcjellë edhe ministra të kabinetit qeveritar, politikanë dhe drejtues të institucioneve të ndryshme të Shqipërisë.
Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë janë dekoruar me flamuj dhe simbole të tjera kombëtare, ku sheshet, shtëpitë dhe godinat e institucioneve janë zbukuruar me ngjyrat kuqezi.
Me rastin e 28 Nëntorit, ceremoni dhe aktivitete të ndryshme do të organizohen edhe në Tiranë, ku do të mbahet edhe “Parada kuqezi”.
Në Shqipëri 28 Nëntori shënohet si festë zyrtare dhe festohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, pasi më 28 nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë.