Shqipëri, shtyhet seanca gjyqësore për ekstradimin e Faruk Fatih Özer

Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan konfirmoi për AA se seanca tjetër për procesin e ekstradimin të shtetasit turk Özer do të mbahet më 21 tetor.

Në Shqipëri është mbajtur seanca gjyqësore për procesin e ekstradimit të themeluesit të platformës Thodex, Faruk Fatih Özer, ndërkohë seanca tjetër është shtyrë për më datë 21 tetor, raporton Anadolu Agency (AA).

Seanca gjyqësore e drejtuar nga gjyqtari Elis Dine është mbajtur në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan, ndërsa i pranishëm në seancë ishte edhe Özer.

Gjykata konfirmoi për AA se seanca tjetër për procesin e ekstradimin të shtetasit turk Özer do të mbahet më 21 tetor, pasi sipas gjykatës pala mbrojtëse ka kërkuar kohë që të njihet me aktet e dosjes.

Gjithashtu gjykata ka vendosur zgjatjen e masës së sigurisë arrest me burg deri në përfundim të procedurave të ekstradimit.

Prokuroria e Elbasanit ka depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan kërkesën për ekstradimin në Türkiye të shtetasit turk Özer.

Aktualisht Özer ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg në Shqipëri, ndërsa në shkallën e parë zhvillohet procesi gjyqësor në lidhje me ekstradimin e tij.

Çështja e Faruk Fatih Özer

Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua më 30 gusht në Shqipëri, i akuzuar për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Prokuroria turke më 22 prill të vitit 2021 filloi zyrtarisht hetimin pas denoncimeve të përdoruesve për mos qasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe se pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.

Në këtë kuadër u konfirmua se pronari i kompanisë, i dyshuari Özer, ishte larguar jashtë vendit më 20 prill të vitit 2021.

Më pas u lëshua një urdhër ndalimi për shumë persona të dyshuar, përfshirë edhe për Özer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër arresti.

Gjithashtu ndaj Özer më 23 prill 2021 ishte lëshuar një buletin i kuq nga Interpoli.

Ndërkohë, autoritetet turke kanë theksuar se Özer do të ekstradohet në Türkiye pas procesit gjyqësor në Shqipëri.

Kategoritë
LajmeRajoni