Shqipëri, stafi largohet nga ambientet e ambasadës iraniane

Gjatë ditës së sotme godina e ambasadës është boshatisur nga personeli i saj, ndërsa më pas forcat policore kanë kryer kontrollet në godinë

Stafi i Ambasadës së Iranit në Tiranë është larguar nga ambientet e selisë diplomatike, pas vendimit të autoriteteve shqiptare për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, raporton Anadolu Agency (AA)

Gjatë ditës së sotme godina e ambasadës është boshatisur nga personeli i saj, ndërsa më pas forcat policore kanë kryer kontrollet në godinë.

Zyrtarisht nuk janë raportuar incidente, ndërkohë, në ambientet e godinës që ka shërbyer si ambasadë e Iranit në vitet e fundit është vërejtur djegia e dokumentacionit.

Ndërkohë, autoritete e Shqipërisë ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht nëse i gjithë stafi i ambasadës iraniane është larguar nga territori i vendit.

– Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Iranin

Më 7 shtator, Republika e Shqipërisë vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, si kundërpërgjigje “ndaj sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë”, sulm i ndodhur gjatë muajit korrik të këtij viti.

Në lidhje me këtë vendim, kryeministri i Shqipërisë, theksoi se “hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.

Pas vendimit, Ambasadës së Iranit iu kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshirë edhe personelin e sigurisë.

– Sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë

Në korrik të këtij viti, sipas autoriteteve shqiptare, ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik, ku dyshohej të ishte i sinkronizuar dhe i sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.

Pas evidentimit të sulmit në fjalë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e Shqipërisë mbylli përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe të disa uebfaqeve qeveritare, për t’i rikthyer përsëri në funksion.

Sipas institucioneve të Shqipërisë, detektimi dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.

Kategoritë
LajmeRajoni