Shqipëri, TIKA ndihmon familjet në nevojë me fidanë agrumesh

Pjesë e projektit të TIKA-s janë gjithsej 50 familje që kanë fëmijë jetimë, që përfitojnë nga 75 fidanë secila, përfshirë fidanë limoni, portokalli dhe mandarine, si dhe plehra kimikë, në disa qarqe të vendit.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen në sektorë të ndryshëm në Shqipëri, ku në projektin e fundit ka shpërndarë fidanë agrumesh për familjet e fëmijëve jetimë në disa bashki të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e shpërndarjes së fidanëve në Njësinë Administrative Shalës të Bashkisë Cërrik, në Qarkun e Elbasanit, ishin të pranishëm ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan, specialistë të bujqësisë dhe pjesëtarët e familjeve që përfitojnë nga projekti.

Ambasadori Atay gjatë fjalës së tij tha se projekti i TIKA-s është një projekt shumë i mirë dhe i vlefshëm, duke shtuar se besojnë që ky është një projekt edhe nga ana ekonomike dhe për t’i ftuar gratë që të bëhen pjesë e bujqësisë në Shqipëri.

“Për ne është shumë e rëndësishme mbështetja e grave të cilat zënë një vend me prioritet në shoqëri dhe realisht marrin përsipër detyrën e lokomotivës në prodhim. Kjo është e rëndësishme për çdo shoqëri. TIKA, ashtu siç disa kritikojnë, nuk restauron vetëm xhami në Ballkan, ajo është e pranishme në çdo fushë, duke filluar nga infrastruktura, prodhim social, shëndetësi bën projekte të cilat shkojnë vërtet në ndihmë të familjeve”, u shpreh Atay.

Ambasadori Atay tha se Türkiye dhe Shqipëria janë dy kombe të cilët kanë ecur prej qindra vitesh së bashku krah njëri-tjetrit.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Atay tha: “Ne ju konsiderojmë të afërm, vëllezër dhe siç iu kemi mbështetur në vitet e mëparshme ashtu do të vazhdojë mbështetja e Türkiye-s ndaj Shqipërisë edhe në vitet e ardhshme”.

“Ne si Türkiye nuk do të mbështesim projekte vetëm në ekonomi dhe në bujqësi. Në ditën e premte dhuruam shumë automjete për Ushtrinë e Shqipërisë. Türkiye siç e dinë të gjithë ka qenë pranë Shqipërisë edhe në ditët e saj më të vështira, siç ishte tërmeti në 2019, ndihmat tona në këtë kuadër si banesat në Laç, më pas Spitali i Fierit. Këto janë simboli i vëllazërisë sonë. Sot jemi falë punës së mirë të TIKA-s për të realizuar dhe këtë projekt”, tha Atay.

Koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Başkan, tha gjatë fjalës së saj në aktivitet se projekti në total do të zhvillohet në 4 qytete të Shqipërisë, dhe që përfshin 3.750 fidanë.

“Në kuadër të ndarjes së fidanëve gjithashtu ka ardhur nga Türkiye një specialist nga zyrat qendrore të TIKA-s i cili do të japë një trajnim të shkurtër, fokusi i të cilit do të jetë se si të mbillen fidanët dhe sëmundjet e fidanëve që do të dhurohen”, tha Başkan.

I pranishëm gjatë shpërndarjes ishte edhe Ali Kurt, specialist i bujqësisë nga zyrat qendrore të TIKA-s i cili theksoi se fidanët që shpërndahen janë nga fidanët më të përhapur. “Këta fidanë që ne do të shpërndajmë fillojnë të japin frytet e tyre që në vitin e tretë pas mbjelljes. Gjëja më kryesore ku dhe ne do të fokusohemi është mbjellja e fidanit në tokë. Uroj që ky projekt të jetë sa më i frytshëm për të gjithë”, tha Kurt.

Pjesë e projektit të TIKA-s janë gjithsej 50 familje që kanë fëmijë jetimë që trajtohen nga Fondacioni ALSAR, që përfitojnë nga 75 fidanë secila, përfshirë fidanë limoni, portokalli dhe mandarine, si dhe plehra kimikë, në disa qarqe të vendit. Gjithashtu nga Türkiye kanë ardhur edhe 10 studentë nga degë të ndryshme në kuadër të projektit të shkëmbimit të eksperiencave 2022 për të ndihmuar fermerët.

Kategoritë
LajmeRajoni