Shqipëri, TIKA ndihmon familjet në nevojë për muajin e Ramazanit

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) do të shpërndajë 3.500 pako me ushqime për familjet e fëmijëve jetimë në Shqipëri me rastin e muajit të Ramazanit

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka shpërndarë pako ushqimore për familjet e fëmijëve jetimë në Shqipëri në prag të fillimit të muajit të Ramazanit, raporton Anadolu.

Në aktivitetin e ndarjes së ndihmave në mjediset e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë morën pjesë përfaqësues të TIKA-s, të Fondacionit ALSAR, si dhe familjarë të fëmijëve jetimë që pranuan ndihmat.

Në një deklaratë për Anadolu, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, tha se po shpërndajnë pako ushqimore për familjet e fëmijëve jetimë me rastin e muajit të Ramazanit.

Ai theksoi se në total planifikohet që të shpërndahen 3.500 pako në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

“TIKA operon në Shqipëri që prej vitit 1996 dhe që nga ky vit e në vazhdim ka realizuar mbi 600 projekte. Në këto projekte që janë realizuar, një rëndësi të madhe u kemi dhënë edhe grupeve që janë më në nevojë të shoqërisë. Jemi shumë të lumtur që qoftë dhe pak të arrijmë t’i ndihmojmë dhe të prekim jetët e tyre”, tha Ata.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, për Anadolu theksoi se uron shumë që të arrijnë muajin e Ramazanit me të gjithë mirësitë e tij.

“Ne sot po shpërndajmë 700 pakot e para të këtij projekti që përfshijnë zonën e Tiranës dhe fshatrave që janë afër saj. Dëshiroj të falënderoj shumë edhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, ndërmjet të cilës ne po mundemi që të bëjmë të lumtur 3.500 jetimë”, tha Gurra.

Shpërndarje e pakove ushqimore do të vazhdojë në ditët në vazhdim edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni