Shqipëri, TIKA vazhdon mbështetjen për familjet në nevojë

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka shpërndarë motokultivatorë për familjet e fëmijëve jetimë në Lushnjë.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për familjet në nevojë në Shqipëri, ku në projektin e fundit ka shpërndarë motokultivatorë për familjet e fëmijëve jetimë në Lushnjë, raporton Anadolu.

Në aktivitetin e shpërndarjes së mjeteve që përdoren në bujqësi ishin të pranishëm ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra.

Duke folur për Anadolu, ambasadori turk Atay tha se vazhdojnë projektet e tyre nën udhëheqjen e TIKA-s dhe me mbështetjen e Fondacionit ALSAR për mbështetjen e prodhimit bujqësor.

Ai kujtoi se në të kaluarën kanë kontribuar për familjet e jetimëve me fidanë për të mbështetur gratë në prodhimtarinë bujqësore, duke shtuar se në kuadër të projektit kanë siguruar edhe fara dhe plehra.

“Si hallka e fundit e kësaj serie, ne u dhurojmë 35 familjeve makineri bujqësore, veçanërisht mjete të ngjashme si traktorë të vegjël të përshtatshëm për automatizim. Edhe ne si Ambasadë, jemi shumë të lumtur të reflektojmë në terren marrëdhëniet tona të shkëlqyera me Shqipërinë dhe t’i mbështesim aq sa mundemi veçanërisht familjet që kanë nevojë për mbështetje”, u shpreh Atay, duke falënderuar Fondacionin ALSAR dhe TIKA-n.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Gurra, u shpreh se sot po realizojnë projektin e radhës për t’u ardhur në ndihmë familjeve me jetimë.

“Ky projekt vjen në vazhdim të projekteve që kemi nisur për familjet e fëmijëve jetimë të cilët kanë tokë në përdorim. Është një mjet që u shërben të gjitha familjeve të cilat i kanë këto mundësi për të përdorur, për të punuar tokën e tyre, për të nxjerrë të ardhura, për të rimëkëmbur ekonominë e tyre”, u shpreh Gurra.

Pjesë e projektit të TIKA-s janë 35 familje që kanë fëmijë jetimë, që trajtohen nga Fondacioni ALSAR.

Kategoritë
LajmeRajoni