Shqipëri, TIKA vazhdon mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka kontribuuar për proteza të ndryshme për 24 persona me aftësi të kufizuara nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka vazhduar mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri, ku një nga projektet për këtë kategori është mbështetja me proteza, raporton Anadolu.

Në aktivitetin e përfundimit të projektit për mbështetjen me proteza për anëtarë të Shoqatës Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar “Shpresa për Jetën”, ishin të pranishëm ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, koordinatori i TIKA-s Tiranë, Mustafa Ata, përfaqësues të Ambasadës së Japonisë në Shqipëri dhe përfaqësues të shoqatës.

Gjatë fjalës në aktivitet, ambasadori Atay u shpreh se TIKA ka realizuar një projekt që ka prekur jetën e shumë njerëzve dhe shtoi se është shumë i lumtur që është pjesë e aktivitetit.

“Të gjithë ne që jemi këtu pa përjashtim jemi kandidatë për t’u bëra ndoshta një ditë persona me aftësi të kufizuara. Fakti që sot jemi mirë nuk do të thotë që edhe nesër do të jemi mirë. Duke qenë se jemi të ndërgjegjshëm që kjo gjë mund të ndodhë, bashkë me TIKA-n jemi shumë të lumtur që patëm mundësinë që të ndihmojmë sadopak në këtë rrugëtim”, tha Atay.

Ambasadori turk theksoi se në këtë fazë të parë kryesisht u fokusuan tek personat që kishin më të nevojshme protezat dhe shtoi se në fazat në vazhdim beson se do kenë dhe mundësinë që të ndihmojmë akoma njerëz të tjerë që kanë nevojë.

Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar “Shpresa për Jetën”, Izet Onuzi, u shpreh se TIKA me humanizëm të madh e mori përsipër që këto persona të pajisen me proteza dhe, sipas tij, projekti u realizua me sukses.

“24 persona kanë marrë një shërbim me proteza të reja dhe sot ato e kanë jetën më të mirë, pak më të lirshme që të lëvizin, të dalin dhe pse jo të punojnë dhe të krijojnë të ardhura për familjen e tyre”, tha Onuzi, duke falënderuar edhe përfaqësuesit e institucioneve turke.

TIKA ka kontribuuar për proteza të ndryshme për 24 persona me aftësi të kufizuara nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Më parë, Ambasada e Japonisë në Shqipëri ka ofruar ndihmë për pajisjet për prodhimin e këtyre e protezave.

Kategoritë
LajmeRajoni