Shqipëri, viti i ri akademik fillon edhe me bojkot të pedagogëve të universiteteve publike

Pedagogë të universiteteve publike kanë marrë pjesë vetëm në seancat e prezantimit të studentëve të rinj dhe më pas kanë bojkotuar procesin mësimor, duke protestuar përpara fakulteteve, ndërkohë në disa degë është mbajtur edhe procesi mësimor.

Në Shqipëri sot është dita e parë e vitit të ri akademik 2022-2023 për universitetet e vendit, ndërkohë në universitetet publike pedagogët e disa fakulteteve kanë bojkotuar procesin mësimor dhe kanë protestuar me kërkesën për rritje të pagave të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Pedagogë të universiteteve publike kanë marrë pjesë vetëm në seancat e prezantimit të studentëve të rinj dhe më pas kanë bojkotuar procesin mësimor, duke protestuar përpara fakulteteve, ndërkohë në disa degë ka vijuar edhe procesi mësimor.

Pedagogët dhe punonjës të tjerë të universiteteve publike në protestat e tyre të mëparshme paralajmëruan bojkot të procesit mësimor në ditën e parë të vitit akademik, sipas tyre, për të vazhduar protestën për rritje të pagave dhe përmbushje të disa kërkesave të tjera.

Kërkesat e pedagogëve janë që të rriten pagat duke filluar nga 30 për qind, pasi sipas tyre, nuk janë në përputhje me tregun e punës, rritje të financimit për kërkimin shkencor, transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike dhe kërkesa tjera.

Kujtojmë se përfaqësues të Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë kanë realizuar disa takime me drejtues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, mbi kërkesat e tyre, por pa arritur në ndonjë marrëveshje përfundimtare, ndërsa kanë paralajmëruar se bojkoti do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave.

Disa ditë më parë, Qeveria e Shqipërisë vendosi që pagat e pedagogëve të rriten deri në 15 për qind, ku 7 për qind do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërkohë që pjesa tjetër do të paguhet nga universitetet në varësi të të ardhurave të tyre.

Por ky vendim u kundërshtua nga një pjesë e pedagogëve të universiteteve publike, të cilët paralajmëruan protesta.

Në lidhje me këtë çështje, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka deklaruar se “do të vazhdojmë dialogun për politikën e pagave jo vetëm me ta (pedagogët), por edhe me rektorët e universiteteve dhe grupet e interesit”.

Kategoritë
LajmeRajoni