Shqipëria i ndaloi dje qeset plastike, çfarë e kanë ndërmend të bëjnë në Kosovë?

Shqipëria i ka dhënë fund përdorimit të qeseve të plastikës, nga dje. Rrugës së saj mund të shkoj edhe Kosova në të ardhmen. Tash për tash po diskutohet vetëm për reduktim të përdorimit. Por, a do ta ndalojë Kosova në tërësi përdorimin e tyre viteve të ardhshme? Cili është qëndrimi i bizneseve?  Me çka do të zëvendësoheshin? Flasin ish-Ministri Fatmir Matoshi dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Nëse qëndron para secilit market në Kosovë vetëm për pak minuta, mund t’i shohësh gjithë qytetarët, duke dalë me së paku një qese të plastikës.

Pamje të tillë në të ardhmen mund të shihen më rrallë.

Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i kanë thënë Gazetës Express se janë duke hulumtuar bashkë me GIZ’in, në reduktimin e qeseve plastike.

Zyrtarja për Informim e kësaj ministrie, Valdete Tahiri-Azemi i ka thënë Gazetës Express se kanë folur edhe me bizneset e qeseve plastike dhe shitësit me pakicë. Sipas saj, të gjithë janë pajtuar që të bëhet reduktimi i tyre.

“MMPHI në bashkpunim dhe në mbështetje me GIZIN  është  duke hulumtuar në reduktimin e qeseve plastike, njëkohësisht janë kontaktuar edhe bizneset e qeseve plastike dhe shitesit me pakicë dhe të gjithë janë dakorduar që të  bëhet reduktimi i qeseve plastike”, ka thënë Tahiri-Azemi.

Veprimet për redukimin e qeseve plastike, Ministria thotë se do të ndërmerren varësisht nga rekomandimet që do të dalin nga draft-dokumenti, që do të punohet pas hulumtimit të ekspertëve që ka angazhuar GIZ.

“Nga hulumtimi i ekspertëve të angazhuar nga GIZ, do të punohet draft dokumenti dhe varesisht nga rekomandimet që do të dalin nga draft dokumenti MMPHI-së  do ndermerren veprimet e nevojeshme  për reduktimin e qeseve  plastike”, thuhet në përgjigjet e MMPH’së drejtuar Gazetës Express.

Ideja për ndalimin e përdorimit të këtyre qeseve ishte përmendur edhe gjatë kohës sa Fatmir Matoshi ishte në krye të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ai thotë se Shqipëria s’kishte qenë modeli që e studionin atë kohë, meqenëse vendimi që ishte marrë, atëherë s’gjente zbatim në praktikë.

“Shqipëria nuk ka qenë modeli ynë atë kohë, sepse atje kishte një vendim që nuk gjente fare zbatim në praktikë, modelet e tjera kishte nga vende të BE-së ku qeset e plastrikës sikundër edhe ato të letrës kishin një kosto nëpër dyqane”, ka thënë Matoshi.

Matoshi ka folur edhe për modelet që diskutoheshin për zëvendësimin e qeseve të plastikës. Një prej tyre ishte zëvendësimi me qese të letrës ose tekstilit.

“Kanë ekzistuar disa modele, qeset e plastikës të lejohen të prodhohen vetëm me material të degradueshëm dhe të vendoset një taksë për to, zgjidhja tjetër do të ishte të ndalohen plotësisht dhe të zëvendësohen me qese të letrës ose të tekstilit (duke ju dhënë një afat kohorë prodhuesve për të ndryshuar teknologjitë e tyre ekzistuese). Sfiduese pastaj do të mbetej plastika që perdoret si paketim i produkteve tjera”, ka thënë ai.

Matoshi ka treguar për Gazetën Express se ishte formuar edhe një grup punues brenda Ministrisë për këtë punë.

“Fillimisht është konstatur se qeset e plastikës sikundër edhe shishet dhe ambalazha e plastikës për produktet e tjera, janë përveç ndotës vizuel që i sheh gjithandej në natyrë dhe sidomos në lumenjë e breze rrugore, është edhe ndotës i madh i mjedisit. Duke marrë parasysh këtë ne patëm themeluar një grup punues brenda Ministrisë së Mjedisit për të dhënë propozime që do të ndryshonin udhëzimin administrativ nr. 11/2013 që aktualisht e rregullon prodhimin, importin dhe standardet e qeseve plastike në Kosovë”, ka deklaruar ai për Express.

Gjatë asaj kohe, thotë se ishin takuar me rrjetin e shitësve me pakicë dhe shoqatën e prodhuesve të qeseve të plastikës.

Thotë se ndihet keq që s’ka arritur ta finalizojë këtë projekt, shkaku i përfundimit të mandatit.

“Kemi marrë opinionin e të gjithë akterëve, dhe kemi zhvilluar edhe takime, konferenca e fushata me shoqërinë civile sa i përket kësaj qështje. Ndihem keq që për shkak të mbarimit të punës së asaj qeverie nuk arritëm ta finalizonim këtë projekt”, ka thënë ai.

Ish-Ministri ka treguar se ishte nxjerrë edhe një Udhëzim Administrativ në fund të vitit 2018 për ndëshkimet me gjoba mandatore, por që sipas tij s’po gjen zbatim.

“Gjithashtu, në fund të vitit 2018 ne kemi nxjerrë udhëzimin administrativ nr 06/2018, për ndëshkimet me gjoba mandatore, I cili qëllim kryesor e ka parandalimin e hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të caktura, reduktimin e ndotjes, mbrojtjen e shëndetit tënjerëzve dhe mbrojtjen e hapësirave publike.  Më vjen keq që ky udhëzim administrative nuk po gjen zbatim të mirëfilltë në shoqërinë tonë edhe pse ka disa lëvizje positive dhe shpesh shohim në media lajme për ndëshkime të përsonave të papërgjgjshëm në bazë të këtij udhëzimi administrative”, ka deklaruar Matoshi.

E sa i përket vendimit të Shqipërisë, Matoshi ka thënë se duhet parë nëse do të ketë vendosmëri për implementimin e këtij vendimi, meqë një i ngjashëm ishte marrë edhe para 4-5 vjetësh, por s’ishte zbatuar.

“Ndalimi i plotë i përdorimit të qeseve të plastikës nuk është e vetmja rrugë e mundshme. Ka disa variante që kërkojnë trajtim të mirë para vendimmarrjes. Unë po e shoh me shumë admirim angazhimin e Qeverisë së Repubikës së Shqipërisë për fushatën Plani Kombëtar i Pastrimit / Shqipëri e pastër, që po zhvillohet në tërë teritorin e Shqipërisë. Në kuadër të kësaj ka ardhur edhe deri tek vendimi për ndalimin e përdorimit të qeseve të plastikës. Por, duhet të presim për të parë nëse ka vërtetë vendosmëri për implementimin e këtij vendimi. Duhet të kemi parasysh se një vendim i ngjashëm ishte marrë edhe para 4-5 vitesh, por që nuk kishte gjetur zbatim”, ka thënë ish-ministri për Express.

Ndryshe, projektligji për ndalimin e qeseve plastike në Shqipëri u dërgua në parlament para 2 vitesh duke parashikuar për herë të parë gjoba për bizneset dhe qytetarët.

Pavarësisht afatit të vendosur, ligji u dërgua me vonesë në Kuvend për t’u miratuar dhe data 1 tetor e vitit 2020 u vendos si afati i ri për të zbatimin e nismës, e cila sërish nuk u përmbush.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook tha se nga data 1 qershor do të nisë një epokë e re për vendin.

Më herët kreu i qeverisë ka sqaruar se nuk do të ketë asnjë lëshim për prodhuesit e qeseve plastike.

Edhe ministrja e mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, thotë se nisma do të kryhet nën një monitorim të rreptë, e për shkelësit ligji parashikon edhe ndëshkime.

“Masa e gjobës shkon nga 500 mijë lekë të reja, pra 5 milionë lekë të vjetra, deri në 1 milion e 500 mijë, ose 15 milionë lekë të vjetra.Por ka edhe masa më të rënda se kaq për shkelësit. Në radhë të parë sekuestrimi i të gjithë mallit që do të gjendet sepse konsiderohet i paligjshëm. Nëse kjo përsëritet do të hiqet licenca e aktivitetit për shkelësit e ligjit”, ka deklaruar Kumbaro.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme