“Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse ndaj integritetit territorial të Azerbajxhanit”

Presidenti Begaj tha se diskutimet me homologun e tij të Azerbajxhanit u fokusuan veçanërisht në nevojën për identifikimin e fushave të interesit të përbashkët dhe rrugët konkrete për thellimin e bashkëpunimit.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka vizituar për herë të parë Shqipërinë ndërkohë është pritur me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ku në përfundim të takimit u mbajt deklarata e përbashkët për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Begaj tha se diskutimet me homologun e tij u fokusuan veçanërisht në nevojën për identifikimin e fushave të interesit të përbashkët dhe rrugët konkrete për thellimin e bashkëpunimit. Begaj theksoi se Tirana ka qenë gjithmonë mbështetëse ndaj integritetit territorial të Azerbajxhanit dhe në favor të zbatimit të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Viti i ardhshëm shënon edhe 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit dhe kjo na jep mundësinë që ta shohim 2023, si vitin kur bashkëpunimi ynë duhet të intensifikohet dhe shënojë zhvillime të reja. Gjithashtu diskutuam mbi propozimin e palës azerbajxhane për hapjen e ambasadës në vendin tonë. Ky është një propozim që ne e mirëpresim dhe e vlerësojmë si shenjë të konsolidimit të marrëdhënieve dhe nevojë për të përshpejtuar ritmin e bashkëpunimit si dy vende mike”, tha Begaj.

Begaj theksoi se Shqipëria synon një bashkëpunim më të ngushtë, veçanërisht sipas tij në sektorë jetikë, si energjia dhe infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe prodhimtaria, duke shtuar se infrastruktura energjetike dhe ajo e gazit po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për të gjitha vendet.

“Gazsjellësi Adriatiko-Jonian IAP, përmes TAP-it, lidh Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë e Bosnjën, duke e kthyer vendin tonë në një shpërndarës dhe diversifikues rajonal të gazit; me rëndësi gjeostrategjike në planin rajonal dhe evropian. Bashkëpunimi mes dy vendeve tona, përmes projektit madhor të TAP-it, ka qenë i suksesshëm. Ne kemi shumë për të mësuar dhe përfituar nga përvoja dhe investimet azerbajxhanase në këtë fushë. Shqipëria, si vend tranzit në kuadër të TAP-it, synon të kthehet edhe në një vend përfitues të transmetimit të gazit”, tha Begaj.

Begaj tha se i ka konfirmuar Presidentit Aliyev se politika e jashtme e Shqipërisë mbështet paqen afatgjatë në rajonin e Kaukazit Jugor, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes diplomacisë dhe dialogut, sipas tij, me ndërmjetësimin e aktorëve të pranuar ndërkombëtarë, si BE, OKB, OSBE.

– Aliyev: Ne e vlerësojmë fort mbështetjen e Shqipërisë

Presidenti Aliyev deklaroi se vizita e tij në Shqipëri dëshmon se dialogu politik ka horizonte shumë të mira dhe një dinamikë shumë të mirë.

“Në këto kontekste të afërta na shfaqen dëshirat dhe interesat e përbashkëta dhe në të njëjtën kohë shpresoj të diskutojmë shumë çështje. Bashkëpunimi ynë i suksesshëm në organizatat ndërkombëtare po forcon lidhjet tona, marrëdhëniet tona”, tha ai.

Duke iu drejtuar presidentit Begaj, Aliyev tha se “Ju e thatë që Shqipëria është mbështetëse e integritetit territorial të Azerbajxhanit dhe kjo mbështetje ka qenë gjithmonë e ndërsjellë. Ne e vlerësojmë fort këtë mbështetje, qoftë në fazën e pushtimit, po kështu edhe gjatë fazës së luftës në Karabak”.

Duke iu referuar konfliktit të Karabakut, Aliyev tha se si rezultati Luftës së Dytë të Karabakut ishte çlirimi i tokave të të parëve dhe rivendosja e normave të së drejtës ndërkombëtare, duke shtuar se rezolutat e OKB-së nuk janë zbatuar.

“Armenia nuk tregoi as një interes për zbatimin e rezolutave, në fakt i ka shpërfillur ato dhe komuniteti ndërkombëtar thjeshtë ka mbyllur sytë ndaj kësaj”, theksoi Aliyev.

Presidenti i Azerbajxhanit shtoi se kanë folur për bashkëpunimin në fushën e gazit, si për arritjet, po ashtu dhe për punën në të ardhmen.

“Sa i takon furnizimit me gaz, Shqipëria dhe Azerbajxhani janë anëtarë të projektit TAP dhe gjithashtu dhe në zbatimin e Korridorit Jugor të Gazit vendet tona kanë bashkëpunuar me shumë sukses. Aktualisht gazi natyror i Azerbajxhanit po i kontribuon sigurisë energjetike të Evropës”, tha Aliyev.

Gjatë vizitës, Aliyev do të takohet dhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Kategoritë
LajmeRajoni