Deklarata është nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci dhe ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq dhe synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tre vendeve.
Shqipëria, Kosova dhe Kroacia kanë nënshkruar në Tiranë deklaratën e përbashkët të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, transmeton Anadolu.
Deklarata është nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci dhe ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq.
Sipas një njoftimi për mediat nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, ky bashkëpunim synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tre vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.
Gjithashtu theksohet se ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tre shteteve, “të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt”.
“Kemi një vlerësim të përbashkët të kërcënimeve në një mjedis sigurie të brishtë. Në këtë kontekst, angazhimi ynë për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, është më i fortë se kurrë”, ka theksuar ministri Vengu.
Gjithashtu theksohet se Shqipëria dhe Kroacia do të punojnë ngushtësisht për unifikimin e qëndrimeve politike në mbështetje të aspiratave të qytetarëve të Kosovës për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike.
Sipas njoftimit, ministrat Anushiq dhe Maqedonci e vlerësuan këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve në përballimin e rreziqeve dhe sfidave të përbashkëta.