Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshjen për parkun ndërkufitar

Gjatë takimit në Tiranë, ministrat Kumbaro, Aliu dhe Nuredini kanë nënshkruar marrëveshjen, sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, për parkun më të madh ndërkufitar në Evropë.

Parku Natyror Korab-Koritnik në Shqipëri, Parku Kombëtar Sharri në Kosovë dhe Parku Kombëtar i Mavrovës dhe Parku Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut do të jenë pjesë e një parku ndërkufitar, sipas autoriteteve shqiptare, më i madhi i këtij lloji në Evropë me një sipërfaqe mbi 242 mijë hektarë.

Sipas një njoftimi nga Ministra e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Maleve është zhvilluar në Tiranë takimi ndërministror “Natyrë pa kufij” mes ministres së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës, Liburn Aliu dhe ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut, Naser Nuredini.

Gjatë takimit, ministrat Kumbaro, Aliu dhe Nuredini kanë nënshkruar marrëveshjen, sipas njoftimit, për parkun më të madh ndërkufitar në Evropë.

“Ne i shohim zonat e mbrojtura si ofrues të përfitimeve përtej kufijve – përtej kufijve të tyre në një hartë, përtej kufijve të shteteve kombëtare – midis shoqërive dhe brezave që jetojnë në këto zona. Këto vargmale shërbejnë si një korridor ekologjik, që strehon një numër të madh llojesh të rëndësishme bimësh e kafshësh, jo vetëm në nivel rajonal por edhe në nivel evropian e ndërkombëtar” është shprehur ministrja Kumbaro.

Sipas ministrit Aliu, ky projekt do të ofrojë një optikë të re për zhvillimin e zonës së bjeshkës së Sharrit.

“I kemi këta kufij në mes dhe kemi dëshira për përfitime nga kompani të ndryshme që duan të depërtojnë dhe të ndërtojnë në atë zonë. Detyra jonë është që të vendosim rregulla duke pasur parasysh të kaluarën në mënyrë që edhe të zhvillohemi, edhe ta shfrytëzojmë, por edhe ta mbrojmë atë çfarë është mjaft e vlefshme”, u shpreh ministri Aliu, sipas njoftimit.

Në njoftim theksohet se ministri Nuredini foli për një vizion që mbron vlerat natyrore të zonave të mbrojtura. “Lidhja natyrore ndërkufitare e zonave të mbrojtura të Parkut Natyror Korab–Koritnik në Shqipëri, Parkut Kombëtar të Mavrovës dhe Parkut Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe Parku Kombëtar Sharri në Kosovë, hap mundësi të reja për mbrojtje më të madhe të florës dhe faunës”, ka theksuar Nuredini.

Sipas autoriteteve shqiptare, ky projekt mes tre vendeve synon zhvillimin e përbashkët ndërkufitar të turizmit miqësor ndaj natyrës, menaxhimin e përbashkët ndërkufitar të rajonit dhe promovimin e përbashkët të trashëgimisë së veçantë natyrore dhe kulturore përtej kufijve.

Kategoritë
LajmeRajoni