Shqipëria nënshkruan kontratën për blerjen e mjeteve turke ajrore pa pilot Bayraktar

Kontrata parashikon marrjen nga Shqipëria të disa mjeteve ajrore pa pilot Bayraktar, që sipas autoriteteve shqiptare do të vihen në funksion për disa qëllime nga institucionet.

Në Tiranë është nënshkruar kontrata për blerjen nga Shqipëria të flotës së mjeteve ajrore pa pilot Bayraktar (UAV), sipas autoriteteve shqiptare si produkt i partneritetit strategjik me Republikën e Türkiyes, raporton Anadolu Agency(AA).

Kontrata në ambientet e Kryeministrisë së Shqipërisë u nënshkrua nga sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Gelardina Prodani dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë turke të mbrojtjes, Lütfü Haluk Bayraktar, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay dhe zyrtarë të institucioneve të ndryshme.

Gjatë fjalës së tij, Rama falënderoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, që sipas tij roli i presidentit turk ka qenë thelbësor në këtë proces.

“Është e pamundur për të falënderuar mjaftueshëm zotin president, mikun tonë të dashur mikun e shkëlqyer të këtij vendi dhe të këtij kombi, presidentin Erdoğan”, theksoi Rama.

“Ne jemi shumë krenarë që së bashku me Republikën e Türkiyes dhe presidentin Erdoğan të jemi nga ana e duhur, të rreshtuar në aleancën më të madhe ushtarake, atë të bashkësisë euroatlantike, të NATO-s, dhe në të njëjtën kohë të jemi të rreshtuar në një partneritet mjaft strategjik midis nesh dhe Republikës së Türkiyes. Sot është një ditë shumë e mirë për marrëdhënien tonë. Është një ditë shumë e mirë për Forcat tona të Armatosura dhe është po kështu një ditë shumë e mirë për bashkëpunimin midis Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes, forcave të mbrojtjes dhe Ministrisë turke të Mbrojtjes dhe forcave të saj të mbrojtjes”, tha Rama.

Ai shtoi se marrëdhënia mes dy vendeve, e cila sipas tij po bëhet gjithmonë e më mirë, është një marrëdhënie që është e natyrshme, duke shtuar se “është ndërtuar përgjatë viteve dhe sot është në pikën e saj më të mirë, por ne duam ta bëjmë dhe më mirë”.

Rama shtoi se marrëveshja nuk është vetëm për të blerë dronët, por ka të bëjë sipas tij edhe me ndërtimin e një ure (bashkëpunimi) midis Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe kompanisë turke, e cila, siç tha ai, do të kujdeset për trajnimin e personave të cilët do të përgatiten për të marrë përsipër funksionimin e qendrës së kontrollit që do të jetë objekti i teknologjisë më të lartë në Bazën Ajrore të Kuçovës, që është baza e re ajrore e NATO-s që po ndërtohet në Shqipëri.

Rama tha se tre dronët që do të vijnë së pari do të jenë të armatosur e do të jenë të gatshëm për çdo rast, sipas tij, kur dhe ku siguria kombëtare të jetë nën kërcënim.

“Ata do të jenë gati edhe për një gamë të plotë aktivitetesh që do të jenë mjaft dobiprurëse për mirëqeverisjen në vend, për sundimin e ligjit, për sigurimin e pronave dhe për personat që për shkak të situatave të emergjencave civile mund të jenë të rrezikuar. Pra, dronët do të na ndihmojnë që të montojmë trafikun, do të na ndihmojnë për të ndjekur personat e kërkuar, pra do t’i shërbejnë dhe policisë dhe për të monitoruar tërësisht territorin dhe të arrijnë kapacitet të fjalës së fundit për të luftuar kultivimin e narkotikëve në terren, për të monitoruar zjarret dhe pyjet”, theksoi Rama.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar, gjatë fjalës së tij tha se urojnë që kjo teknologji të hapë një epokë të re midis dy vendeve dhe të mbështesë gjithashtu sovranitetin e Shqipërisë dhe qytetarët e saj.

“Jemi këtu për t’iu mbështetur që t’i mbajmë sistemet sa më të përditësuara. Këto teknologji tanimë janë vërtetuar si asete të cilat janë vërtet të rëndësishme në inventar dhe nuk janë mjete të cilat do të përdoren për kohë lufte, sepse mund të përdoren po kështu për kohë paqeje”, tha Bayraktar.

“Ne kështu do të ngremë një qendër shërbimi këtu, gjithashtu për të gjitha ato objekte që do t’i shërbejnë jo vetëm Shqipërisë, por gjithashtu dhe fqinjëve të saj”, shtoi ai.

Ministri Peleshi theksoi se kompletimi më këto sisteme ka rendësi të veçantë për sigurinë kombëtare dhe atë të aleancës së NATO-s.

Kontrata në fjalë parashikon marrjen nga Shqipëria të disa mjeteve ajrore pa pilot dhe sipas autoriteteve shqiptare do të vihen në funksion të sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit e kultivimit të paligjshëm të hashashit, të emergjencave civile, mbrojtjes së territorit dhe mbledhjes së informacioneve gjeo-hapësinore.

Kategoritë
LajmeRajoni