Shqipëria notë verbale ndaj Britanisë së Madhe mbi deklaratat për shqiptarët të ministrit britanik

Në njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ), thuhet se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith, i është dorëzuar sot një notë verbale në MEPJ.

Shqipëria i ka dorëzuar një notë verbale Britanisë së Madhe, në lidhje me deklaratat për shqiptarët të ministrit britanik të Shtetit për Emigracionin, Robert Jenrick.

Në njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ), thuhet se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith, i është dorëzuar sot një notë verbale në MEPJ.

“Përmes kësaj note, MEPJ paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e ministrit të Shtetit për emigrimin, Robert Jenrick. MEPJ theksoi se kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik, Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme “kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare”.

“Vendet tona janë angazhuar përmes Deklaratës së Përbashkët që të nxisin më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në një gamë të gjerë fushash me fokus rininë, inovacionin, turizmin, arsimin dhe investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri”, theksohet më tej.

– “Janë jo vetëm emigrantë të paligjshëm, por disa edhe kriminelë të rrezikshëm”

Kujtojmë se në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ministri britanik, Jenrick, tha se po punojnë gjatë gjithë kohës për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë, duke theksuar se “Janë jo vetëm emigrantë të paligjshëm, por disa edhe kriminelë të rrezikshëm të dënuar për drogë”.

Deklaratat e zyrtarit britanik kanë shkaktuar reagime të autoriteteve shqiptare, ku ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në një reagim në rrjetet sociale, ka theksuar: “Veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër me parime demokratike që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm”.

Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruan disa javë më parë deklaratën e përbashkët mbi “thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat me interes të përbashkët”, duke përfshirë edhe çështjen emigracionit të paligjshëm, çështje që ka shkaktuar debate dhe reagime në javët e fundit në Britani dhe Shqipëri.

Kategoritë
LajmeRajoni