Shqipëria shton një medalje në shah, sportistja Klean Shuqja shpallet kampione Europe në kategorinë U-16

Shqipëria e ka edhe një kampione të Europës, këtë herë në shah, sepse Klean Shuqja triumfoi në turneun e kategorisë Blic për sportistët deri në 16 vjeç.

Vajza, që doli kampione e Shqipërisë pak javë më parë, shkëlqeu në Selanik duke marrë 12.5 pikë në 18 ndeshje.

Ajo pati 12 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje duke lënë pas shahisten gjermane Luiza Bashilina që kishte Elo më të lartë.

Shuqja e ka koeficientin ELO në kategorinë Blic 1891, ndërsa Bashilina e ka 2047.

Sportistja shqiptare pretendonte për medalje në Europianin e Selanikut, por pas paraqitjes shumë të arriti maksimumin e mundur duke fituar titullin.

Një sukses i madh për vetë Kleanin dhe për trajnerin e pasionuar Shkëlqim Çela.

Këtë vit, Shuqja u shpall për herë të parë kampione e Shqipërisë duke qenë tepër e re, ndërsa objektivi i radhës është në turneun kryesor të këtij sporti, në Olimpidën Botërore që zhvillohet në Indi nga 28 korriku deri në 10 gusht.

Kategoritë
Sport