ShSKUK pa drejtor që 6 muaj, me u.d janë edhe dy klinika dhe spitali i Ferizajt

Që nga 2 gushti i vitit të kaluar, ShSKUK, është duke funksionuar me ushtrues të detyrë së drejtorit të përgjithshëm. Përveç tij, me u.d janë edhe klinika e Onkologjisë, Spitali i Ferizajt dhe Shërbimi Klinik i Kardiologjisë.

Në 6 muajt e fundit, Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës, është udhëhequr nga 2 ushtrues të detyrës. Pas dorëheqjes së Valbon Krasniqit, ushtruese e detyrës u zgjodh Pranvera Zejnullahu- Raçi, e cila dha dorëheqje më 16 janar, për t’u zëvendësuar nga Narqize Arenliu-Hoxhaj. Se kur do të hapet konkurs për drejtorin e përgjithshëm të ShSKUK-së, ende nuk është dhënë ndonjë datë e saktë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, më 2 shkurt tha se menjëherë pas nënshkrimit të statutit të ShSKUK-së, do të ketë konkurs për drejtor.

Ajo çka kam lexuar nga dorëheqja e ish-ushtrueses së detyrës së drejtoreshës, Pranvera Raçi nuk koincidon me atë që thoni ju… Unë e kam falënderuar personalisht për kontributin dhe dinamikën që i ka shtuar ShSKUK-së… Ka qenë një dorëheqje, edhe pse kemi pasur një takim, të cilën e kam pranuar. Jemi në fazat finale, statuti i ShSKUK-së është në fazat finale teknike për të ecur tutje, me organogram të ri… Menjëherë pas nënshkrimit të këtij statuti do të ketë konkurs për drejtor të ShSKUK-së”, tha Vitia në konferencën për media pas vizitës në Ferizaj.

Me ushtrues të detyrës është Klinika e Onkologjisë, pasi ushtruesi i drejtorit të kësaj klinike, Arben Bislimi, dha dorëheqje më 25 janar. Mirëpo për të parin e Onkologjisë, tashmë është publikuar konkursi.

Ndërsa, në të njëjtën gjendje, në aspektin menaxherial, ndodhen edhe Spitali i Ferizajt dhe Shërbimi Klinik i Kardiologjisë. ShSKUK, në një përgjigje për Gazetën Express, thotë se për këto pozita pritet të shpallen konkurset.

Sipas ShSKUK-së, konkurs pritet të shpallet edhe për pranimin e mjekëve specialistë të profileve të ndryshme.

“Shumica e drejtorëve të klinikave dhe spitaleve të përgjithshme janë zgjedhur përmes konkurseve publike. Aktualisht, kemi u.d. drejtor në Klinikën e Onkologjisë, konkursi është publikuar. Po ashtu, kemi u.d. drejtor në Spitalin e Ferizajt dhe Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë, presim që së shpejti të procesohet konkursi edhe për këto institucione. Sa i përket stafit të mjekëve, jemi duke analizuar kërkesat nga të gjitha njësitë dhe konform buxhetit të lejuar, pritet të ketë edhe konkurse të tjera për pranim të mjekëve specialistë të profileve të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së

Kategoritë
LajmeVendi