Shtëpia e Bardhë: Biden kundërshton heqjen e mandatit të vaksinës COVID-19 për ushtrinë

Kongresi i SHBA-së aktualisht po debaton nëse do të shtojë shfuqizimin e vaksinës në NDAA, por zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve se presidenti Biden kundërshton çdo ndryshim të tillë

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, kundërhston heqjen e mandatit të vaksinës së koronavirusit COVID-19 për ushtrinë, përderisa disa ligjvënës po diskutojnë një projektligji kyç për shpenzimet e mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kongresi i SHBA-së aktualisht po debaton nëse do të shtojë shfuqizimin e vaksinës në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), por zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve se presidenti Biden kundërshton çdo ndryshim të tillë.

“Sekretari (i mbrojtjes, Lloyd) Austin ka qenë shumë i qartë se ai kundërshton shfuqizimin e mandatit të vaksinës dhe presidenti në fakt pajtohet me sekretarin e mbrojtjes. Ai vazhdon të besojë se të gjithë amerikanët, përfshirë ata në forcat e armatosura, duhet të vaksinohen për virusin COVID-19”, tha Kirby gjatë një konference virtuale për media.

Sipas tij, “kjo mbetet një çështje shëndetësore dhe gatishmërie për forcën”.

Akti i mbrojtjes prej 800 miliardë dollarësh akoma është në Kongres, me ligjvënësit që po debatojnë mbi mosmarrëveshjet kryesore dhe shtojnë amendamente, përfshirë potencialisht shfuqizimin e mandatit të vaksinës.

Republikanët e kanë mbrojtur këtë përpjekje dhe udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, dje pretendoi se Kongresi ka arritur një marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë për ta siguruar atë, një pretendim që rezidenca ekzekutive e refuzoi.

Republikanët kanë pohuar se mandati i vaksinës ka dëmtuar përpjekjet e rekrutimit dhe ka çuar në largimin e anëtarëve të shërbimit nga forcat e armatosura të SHBA-së.

Kategoritë
BotaLajme