Shtëpia e Bardhë përpiqet të “shpjegojë” deklaratat e Trumpit: “Ai nuk tha që trupat amerikane do të jenë në Gaza”

Zëdhënësja e administratës së re amerikane, e udhëhequr nga presidenti Donald Trump, Karoline Leavitt, deklaroi se ai “nuk ka njoftuar që trupat e SHBA-së do të jenë në Gaza”, në përpjekje për të qetësuar polemikat pas komenteve të tij të diskutueshme mbi të ardhmen e këtij territori palestinez.

Leavitt, megjithatë, konfirmoi se Trump dëshiron që SHBA-ja të udhëheqë rindërtimin e Gazës, por pa përfshirjen e ushtrisë.
“Kjo nuk do të thotë se trupat amerikane do të angazhohen,” tha zëdhënësja e Trumpit.

Leavitt gjithashtu u përpoq të zbusë polemikat që shkaktuan komentet e Trumpit në lidhje me të ardhmen e palestinezëve në Gaza. Ajo tha se Trump synon “zhvendosjen e përkohshme” të palestinezëve gjatë periudhës së rindërtimit të këtij territori.

Kujtojmë se presidenti amerikan deklaroi se bëhet fjalë për një “zhvendosje të përhershme” dhe madje ushtroi presion mbi Jordaninë dhe Egjiptin që të “pranojnë më shumë palestinezë”, gjë që këto shtete e refuzuan.

Planet e tij për Gazën tërhoqën vëmendje të veçantë për shkak të faktit se në Uashington ndodhej kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë vizitës së të cilit Trump bëri këto deklarata polemizuese.

Trump përmendi gjithashtu ndërtimin e një “rivjere të Lindjes së Mesme” dhe tha se “Palestinezët nuk kanë ku të kthehen sepse gjithçka është shkatërruar.”

Kategoritë
BotaLajme