Shtëpia e Bardhë: Takimi Xi-Putin nuk dha shpresë se lufta do të përfundojë së shpejti

“Nga bisedimet mes Xi dhe Putin nuk doli ndonjë rezultat që do të ndryshojë ecurinë e luftës. Nuk mendoj se takimi i mbajtur dje na dha neve shpresë të madhe se lufta do të përfundojë së shpejti”, tha Kirby

Koordinatori i Komunikimit Strategjik të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, lidhur me takimin në Moskë të presidentit të Kinës, Xi Jinping dhe presidentit rus, Vladimir Putin, tha se nuk mendon se takimi i mbajtur dje “ka dhënë shpresë të madhe se lufta do të përfundojë së shpejti”, transmeton Anadolu.

Kirby iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në një konferencë të rregullt për media dhe foli lidhur me deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit në Moskë të presidentëve të Rusisë dhe Kinës.

“Të dy palët thanë se duhet të respektohen qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe të respektohet e drejta ndërkombëtare. Pra jemi dakord me këtë”, deklaroi Kirby.

Kirby theksoi se nenet përkatëse të OKB-së nënkuptojnë se Rusia duhet të tërhiqet nga territoret e Ukrainës, e cila është një tjetër anëtare e OKB-së. Duke mbrojtur idenë se nëse Kina dëshiron të luajë një rol konstruktiv ajo duhet të ushtrojë presion mbi Rusinë për t‘u tërhequr nga Ukrainë, Kirby tha se Pekini “po imiton propagandën ruse” lidhur me luftën.

Nga bisedimet mes Xi dhe Putin nuk doli ndonjë rezultat që do të ndryshojë ecurinë e luftës, theksoi Kirby, i cili tha se, “Nuk mendoj se takimi i mbajtur dje na dha neve shpresë të madhe se lufta do të përfundojë së shpejti”.

Më tej, Kirby bëri të ditur se janë kategaoriksht të gabuara pretendimet se pala ruse “ka dëshirë për negociata, por që ato që e refuzojnë këtë janë Ukraina dhe Perëndimi”.

Ndaj një pyetjeje lidhur me mundësinë që Ukraina t‘i afrohet negociatave nën ndërmjetësimin e Kinës, Kirby dha përgjigjen se SHBA-ja do të mbështesë një situatë të tillë nëse presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, beson se mund të sigurohet një “paqe e drejtë”. Po ashtu Kirby nënvizoi se ata nuk të mbështesin një armëpushim nëse aktualisht është në kurriz të Ukrainës.

SHBA-ja ka shqetësime serioze rreth qëndrimit të Kinës për një sërë çështjesh, duke përfshirë pretendimet në Detin e Kinës Jugore, vjedhjen e pronës intelektuale dhe mbështetjen e saj për Rusinë, tha Kirby, i cili vuri theksin se në anën tjetër i kushtojnë rëndësi që kanalet e komunikimit me Kinën të mbahen të hapur.

Duke pretenduar se Putin po përpiqet të bindë vendet e Afrikës se “Perëndimi është shkaku i krizës ushqimore dhe të energjisë”, Kirby tha se, “Sikur të isha lider në ndonjë vend të Afrikës, do ta merrja me një dyshim të madh çdo gjë që presidenti Putin shpreh rreth garancive financiare, ekonomike ose të ndihmës për energji”.

Irani i ka siguruar një numër të madh të mjeteve ajrore pa pilot (dronë) Rusisë, tha Kirby, i cili theksoi se marrëdhëniet e mbrojtjes mes dy vendeve janë gjithë në rritje. Ai më tej bëri vlerësimin se kjo është e rrezikshme jo vetëm për Ukrainën, por edhe për popujt e Lindjes së Mesme.

Ndaj një pyetjeje lidhur me vizitën e mundshme në SHBA të lideres tajvaneze, Tsai Ing-wen, Kirby theksoi se kjo vizitë mes palëve nuk “është e jashtëzakonshme”.

Ndër të tjera, Kirby shtoi se këto nuk janë vizita zyrtare.

Kategoritë
BotaLajme