Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se për shkak të shtesave për fëmijë, mbi 89 mijë gra në Kosovë kanë hapur për herë të parë llogari bankare.
Duke ua uruar të gjitha grave 8 Marsin, Murati ka shkruar në Facebook se janë mbi 300 mijë fëmijë që marrin shtesa dhe se këto mjete dalin në llogari të nënës.
“Tashmë janë mbi 337 mijë fëmijë që marrin shtesa çdo muaj, dhe mjetet dalin në llogari të nënës. Janë 89,241 gra që për herë të parë kanë hapur llogari bankare, si rezultat i pranimit të shtesave për fëmijë. Janë mbi 5 mijë gra të punësuara përmes Masës 1.3. Janë 603 gra të punësuara përmes masës Qeveria për Familjet që me pagën që marrin janë burimi i vetëm i të ardhurave për familjet e tyre. Janë 1,401 vajza të punësuara përmes Superpuna apo praktikës në punë. Janë 44 biznese të grave pronare të mbështetura në zgjerimin e bizneseve të tyre”, ka shkruar Murati në Facebook të mërkurën.
Ai ka shtuar se fuqizimi i gruas duhet të bëhet në secilën sferë të jetës.“Urime 8 marsi të gjitha grave!”, ka shkruar Murati.