Shteti dështon ta dërgojë në gjykatë serbin e dyshuar për sulm ndaj policisë

Dejan Pantiq, i arrestuar të shtunën nën dyshimin për organizim të “sulmit terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës, nuk është dërguar ende në gjykatë.

Institucionet shtetërore kanë dështuar ta vendosin ish-zyrtarin policor serb fizikisht para gjykatës për seancën dëgjimore, siç parashihet në procedurë penale.

Që nga momenti i arrestimit të tij të shtunën në mesditë, Dejan Pantiq po vazhdon të mbahet në ndalim në Stacionin Policor të Mitrovicës Veriore, raporton Paparaci. Me kalimin e 48 orëve që nga arrestimi i të dyshuarit, sipas procedurës penale, parashihet që gjykata të caktojë seancë dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë.

Nga burime brenda organeve të sigurisë, Paparaci ka marrë vesh se ish-zyrtari policor serb i dyshuar për organizim të “sulmit terrorist”, vazhdon të mbahet në Stacionin Policor në Mitrovicën Veriore veri në pamundësi për t’u dërguar në gjykatë.

Në këtë situatë, seanca dëgjimore ndaj Dejan Pantiqit pritet të zhvillohet përmes formës online, pa prezencën fizike të tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lidhur me këtë çështje, Paparaci ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë të hënën, por ende nuk ka marrë përgjigje për rastin Pantiq.

Kujtojmë se në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – disa grupe serbësh vazhdojnë bllokimin e rrugëve për të tretën ditë me radhë.

Protestën e nxiti arrestimi i Dejan Pantiqit të shtunën.

Pantiq u arrestua nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Kategoritë
LajmeVendi