Shteti hesht përballë bllokadës së produkteve kosovare në Bosnjë

Bosnjë e Hercegovina është duke i bllokuar prodhimet e shtetit të Kosovës të cilat eksportohen atje. Kjo bllokadë po bëhet në kundërshtim me parimet e CEFTA-s për tregti të lirë të cilat nuk po respektohet fare në rastin e kompanisë “Vita” nga Kosova.

Përkundër ankesave dhe njoftimit te institucionet kosovare të këtyre bllokadave, deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga shteti.

Paparaci, javën e kaluar ka kërkuar sqarime nga Ministria e Tregtisë lidhur me këtë çështje por nuk ka pranuar asnjë përgjigje lidhur me çështjen e bllokadës së vendosur nga shteti i Bosnjë e Hercegovinës ndaj prodhuesve kosovarë.

Kompania “Vita” kishte njoftuar opinionin se janë duke u bllokuar me barriera jo-tarifore për eksportin e produkteve në territorin e Bosnjes, duke mos u respektuar marrëveshjet regjionale të Tregtisë së Lirë.

“Kompania “Vita” si lider dhe themeluesi i industrisë së qumështit në Kosovën e pas luftës është duke u bllokuar me barriera jo tarifore të eksportoj produketet në territorin e Bosnjës dhe Hercegovines duke mos respektuar marrëveshjet regjionale të Tregtisë së Lirë dhe duke i shkaktuar dëme ekonomike direkte vendit tonë.”, thuhej në komunikatë.

Kompania “Vita” përkundër tentimeve që të marrë sqarime nga autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës për trajtimin e barabartë sikurse produktet e këtij shteti në Kosovë, nuk ka marrë kurrfarë përgjigjje.

Sipas të dhënave të bilancit të tregtisë mes dy vendeve, Kosova importon përafërsisht 66 milionë euro nga Bosnja, ndërsa Bosnja vetëm 11 milionë nga Kosova.

Bonja dhe Hercegovina është shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës madje lëvizja e qytetarëve atje akoma bëhet me viza përkundër përpjekjeve të “Procesit të Berlinit” për lëvizje me letërnjoftime kjo nuk ka ndodhur, pasi Bosnje Hercegovina nuk e ka ratifikuar këtë marrëveshje.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi