Shteti po i heton dy gjyqtaret e Mitrovicës që morën pjesë në mbledhjen e Vuçiqit

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë të ditur për inicimin e procedurave hetimore ndaj të gjithë pjesëmarrësve që ishin pjesë e Këshillit të Sigurisë të ftuar nga Aleksandar Vuçiq. Por, nga KGJK-ja nuk ka bërë të ditur ndonjë masë konkrete ndaj dy gjyqtareve të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Dragica Jakoleviq dhe Lidija Vuçuroviq, të cilat dyshohen të ketë qenë pjesë e mbledhjes së ftuar. Sot, ky komision, bëri të ditur për rikthimin e Kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq, pas suspendimit për pjesëmarrje në mbedhjen e Vuçiqit.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, është përgjigjur shkurt për lajmi.net, teksa ka vlerësuar se procedurat hetimore ndaj gjyqtarëve të dyshuar për pjesëmarrje në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të Serbisë janë konfidenciale. Por, siç u shpreh ai, janë ndërmarrë të gjitha veprimet.

“Ta keni parasysh që janë ndërmarrë krejt veprimet prej Kryetarit të Gjykatës Supreme edhe prej gjykatës përkatëse. Nuk mund të flasë më shumë sepse procedura është konfidenciale. Për të gjithë pjesëmarrësit janë ndërmarrë veprime”, deklaroi ai për mediumin.

Mediumi ka pyetur edhe Gjykatën Supreme dhe atë të Mitrovicës për marrjen e ndonjë vendimi për gjykatësen Jakoleviq dhe Vuçuroviq, mirëpo të njëjtat kanë drejtuar tek KGJK-ja për këtë çështje.

Që të dy gjykatëset, pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, janë parë në pamjet e nxjerra nga mediat serbe prej takimit të mbajtur të Vuçiqit muajin e kaluar, të cilat kanë tentuar ta fshehin fytyrën sapo kanë parë kamerën.

Pas afro dy muaj suspendim, Kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Ljiljana Stevanoviq, në anën tjetër është kthyer në pozitën e saj. Ajo është suspenduar për të njëjtën arsye që po hetohen dy gjykatëset e lartcekura.

Për këto dy të fundit, Këshilli, në mbledhjen e mbajtur muajin e kaluar, ka bashkuar procedurën disiplinore për dy kërkesat dhe ka themeluar një panel hetimor.

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, punonjës të kësaj gjykate për vendimin e KGJK-së për suspendimin e Stevanoviqit patën bojkotuar punën. Kryetari Zogaj ka bërë të ditur se ata që bojkotuan punën gjetën arsye juridike.

“Dikush ka thënë se ka shfrytëzuar pushimin vjetor, dikush tjetër atë shëndetësorë e me radhë që në terma praktikë dhe juridikë është në rregull”, deklaroi ai.

Pjesëmarrës në Këshillin e Sigurisë të Serbisë ishin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Këto veprime i cilësoi si vepra penale Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Kategoritë
LajmeVendi