Shteti shpenzoi 486 milionë euro për pagat e punëtorëve në sektorin publik vetëm deri në tetor

Gjithsej 486 milionë euro kanë shkuar nëpër llogaritë e të gjithë punonjësve në sektorin publik si paga dhe mëditje nga buxheti i shtetit, vetëm nga janari deri në tetor të këtij viti.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin për “Llogaritë qeveritare për tremujorin e tretë të këtij viti”, në të cilin ka shpalosur shifra për të hyrat dhe për të gjitha shpenzimet e Qeverisë nëpër tremujorë, duke bërë krahasime edhe me vitet paraprake.

Kështu, të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në TM3 2021 ishin në shifrën e 673.9 milionë eurove, krahasuar me të hyrat në TM3 2020 që ishin në vlerë të 512.6 milionë eurove, përcjell Buletini Ekonomik.

Pjesën më të madhe të të hyrave qeveritare e përbëjnë tatimet në produkte që shënuan një vlerë prej 485 milionë euro, apo 72,0% të totalit të të hyrave, ku bën pjesë edhe taksa e TVSH-së me 282,5  milionë euro dhe tatimi në dogana në vlerë të 190,5 milionë euro, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori tjera si: tatimi në të ardhura 82.3, tatimi në prodhim 12.2, tatimi nga prona me 14.5, pagesat për prodhimet jo-tregtare (shitjet) me 28,6 milionë euro, etj.

Ndërkohë, shpenzimet e përgjithshme të Qeverisë në tremujorin e tretë 2021, ishin në vlerën e 526.9 milionë eurove, krahasuar me vitin e kaluar ku ishin 579.8 milionë euro.

Prej shpenzimeve, pjesën më të madhe e përbëjnë kompensimi i punëtorëve në ghithë sektorin publik, që në tremujorin e tretë 2021 ishte në vlerën e 154,4 milionë eurove, në tremujorin e dytë 2021 ishte 162,3 milionë euro, kurse në tremujorin e parë të 2021 ishte 169,8 milionë. Në total këto shpenzime gjatë vitit 2021, deri në tetor, llogariten në vlerën e 486.5 milionë eurove.

Pas kompnesimit dhe pagave të punëtorëve që përbënin 29.3% të të gjitha shpenzimeve, kontributet sociale dhe përfitimet merrnin pjesë me 25.6% të totalit të shpenzimeve, konsumi i ndërmjetëm me 13.5% dhe formimi i kapitalit bruto me 13.1%.

Ndërkaq, sa i përket sektorëve qeveritar ku të hyrat qeveritare u shpenzuan më së shumti, ishin në sektorin mbrojtja sociale me 25,3%, shërbime të përgjithshme me 15,6%, çështjet ekonomike me 14,7%, arsimi me 14,0%, shëndetësia 12,8%, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në sektorët e tjerë.

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreVendi