Shtrenjtohen buka, qumështi, djathi dhe vezët

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin janar 2025.

Sipas  të dhënave të publikuara nga ASK çmimet e konsumit janë rritur për 1,5% vjetore dhe 0,7% mujore.

Çmimet e produkteve përsëri kanë shënuar rritje në vendin tonë.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,5 % në muajin Janar 2025 krahasuar me muajin Janar 2024. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: kafja, çaji dhe kakao (14,6%), vajrat dhe yndyrat (8,3%), shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (7,6%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (6,1%), gazetat, librat dhe materialet për zyra (5,4%), shërbimet financiare (5,2%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (5,1%), mishi (4,6%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (4,0%), pijet alkoolike (3,9%), qumështi, djathi dhe vezët (3,0%), veshje (2,9%), duhani (2,9%), perimet (2,5%), kujdesi personal (2,5%), buka dhe drithërat (2,1%) dhe shërbimet hoteliere (2,1%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,1 për qind në IHÇK-it.”, ka bërë të ditur ASK.

Po ashtu edhe krahasimi mes një muaji, si janar 2025 dhe dhjetor 2024 tregon se rritje ka pasur për 0,7 %

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,7 % në muajin Janar 2025 krahasuar me muajin Dhjetor 2024. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: perimet (5,2%), energjia elektrike (2,8%), duhani (2,5%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (2,3%), kafja, çaji dhe kakao (1,9%), mishi (1,8%), pemët (1,7%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (1,0%) dhe qumështi, djathi dhe vezët (0,6%) dhe me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,8 për qind në IHÇK-it”.

Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj.(-6,6%), biletat e fluturimeve (-5,6%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-3,2%) dhe blerja e automjeteve (-1,9%).

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi