Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se është shtyrë afati për aplikim në Programin e Kuponëve.
Afati i fundit është 26 shkurti, ndërsa aplikimi sipas Ministrisë së Arsimit realizohet vetëm nëpërmjet e-Kosova.
“Programi ka për qëllim të përmirësojë qasjen e fëmijëve 3 deri në 5 vjeç në Institucionet e Edukimit në Fëmijërinë e Hershme (IEFH) nga familjet të cilat janë të regjistruara në Skemën e Asistencës Sociale (SAS)”, thuhet në njoftim.
Nëpërmjet Programit të Kuponëve, MASHTI do të rimbursojë pagesën e edukimit dhe transportit për fëmijët e përzgjedhur. “Ftohen të aplikojnë familjet e regjistruara në SAS të cilat banojë në Prishtinë, Gjilan dhe Lipjan në mënyrë që të përfitojnë nga programi”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, sqarohet se aplikuesit mund të jenë prindërit apo kujdestarët ligjorë të fëmijës.
Ndër kriteret që parashihet janë që prindërit të kenë të paktën një fëmijë të moshës nga 3 deri në 5 vjeç në kohën e regjistrimit në IEFH. “Mosha e fëmijës llogaritet nga data e ofrimit të shërbimit në IEFH, jo nga data e aplikimit në Program. Rrjedhimisht prindi apo kujdestari ligjor mund të aplikojë edhe para se fëmija të ketë mbushur moshën 3 apo 5, duke filluar nga 2 vjet e 6 muaj deri në moshën 4 vjet e 6 muaj. Me kusht që vijimin në IEFH ta nis në moshën 3 vjeçare dhe ta përfundojë kur fëmija fillon edukimin e detyrueshëm parafillor pas moshës 5 vjeçare. Fëmija duhet të ketë vendbanimin në komunën ku aplikon për ta vijuar IEFH”, bëhet e ditur nga Ministria e Arsimit.