Shtyhet sërish procedura për zgjedhjen e presidentit në Shqipëri

Konferenca e Kryetarëve vendosi shtyrjen deri më 10 maj të nisjes së procesit për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë.

Mazhoranca pranoi këtë kërkesë të opozitës shqiptare, por refuzoi tjetrën që nga raundi në raund të respektohet afati maksimal prej 7 ditësh, që për mazhorancën ishte e dyshimtë pasi mund ta ekspozonte procesin përballë një ankimimi të mundshëm në Kushtetuese.

Procedura për zgjedhjen e presidentit të Republikës nisi me shtyrjen e saj. Konferenca e Kryetarëve dha gjysmë konsensus duke pranuar një nga dy kërkesat e opozitës, pra shtyrjen e procesit për në datën 10 maj.

Propozimi i dytë ishte strategjia politike e opozitës që duket se kishte si synim ekspozimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit ndaj një atakimi të mundshëm në Gjykatën Kushtetuese.

”Sugjeroj që si datë të jetë jo data e sotme, por data 10 maj. Po biem dakord që distancë kohore midis raundeve të jetë 7 ditore”.

Ky propozim u pa me mëdyshje nga ana e maxhorancës. Sipas Taulant Ballës, nga seanca në seancë nuk mund të vendoset afati maksimal pasi interpretimi i shtatë ditorit mund të jetë objekt interpretimi në vetë Gjykatën Kushtetuese.

”Nëse ju jeni gati t’i japim shqiptarëve një president të të gjithëve këtu na keni gati. Çdo ditë, 7 në 7 edhe 24 orë nëse doni. Por po ju them, për pjesën e parë besoj jua dhashë dakordësinë. Për pjesën e dytë, për llogaritjen e afateve 7-ditëshe nuk e marr rrezikun kushtetues përsipër”, u shpreh Balla.

”Unë kam studiuar edhe për fizikë, kam bërë edhe analizë matematike. Siç e ka përshkruar kushtetuta nuk është asgjë më shumë se sa gjysmë interval. Çka do të thotë se shtata përfshihet, teta është vonë”, u shpreh Alibeaj.

Një refuzim tjetër mazhoranca pati për Fatmir Mediun, i cili kërkoi që dialogu politik në Kuvend të mos bëhej në bazë të grupeve parlamentare, por ndërmjet mazhorancës dhe opozitës në mënyrë që të përfshijë në proces edhe deputetët pro Berishës, si dhe ata të LSI.

”Procesi do të jetë vetëm në Kuvendin e Shqipërisë dhe vetëm me grupet parlamentare. Ky është kushti i vetëm i Partisë Socialiste. Se ç’bëni ju në krahun e opozitës për të ardhur në këtë treshe përfaqësuese kjo është puna juaj. Rregullorja e Kuvendit ka përcaktuar vetëm grupet parlamentare si organizime të mirëfillta”, tha Balla.

Me propozim të socialistëve, pritet që raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të kryhet më datë 16 maj. /A2

Kategoritë
LajmeRajoni