Gjyqtari që po trajton çështjen penale ndaj Donald Trumpit në Manhattan, New York, ka shtyrë marrjen e vendimit mbi anulimin e dënimit të presidentit të sapozgjedhur për shkak të imunitetit presidencial.
Gjykatësi Juan Merchan njoftoi avokatët e 78-vjeçarit të martën se vendimi do të shtyhet deri më 19 nëntor, shkruan cnn.
Vendimi i fajësisë u mor më 31 maj, pas një diskutimi prej më pak se 12 orësh nga juria, duke shënuar gjyqin e parë penal të paprecedentë të një presidenti të SHBA-së. Ky vendim ishte një goditje për presidentin e zgjedhur, që asokohe ishte kandidati kryesor republikan për president.
Procesi penal ndaj Trumpit portretizoi një figurë që konsiderohej e papërshtatshme për postin presidencial.
Prokurorët pohuan se Trumpi falsifikoi rimbursimet për avokatin e tij të atëhershëm, Michael Cohen, për një pagesë prej 130 mijë dollarësh drejtuar yllit të filmave për të rritur, Stormy Daniels, në këmbim të heshtjes së saj lidhur me një aferë të pretenduar me Trumpin.
Prokuroria e qarkut të Manhattanit, e drejtuar nga Alvin Bragg, ka deklaruar se këto falsifikime ishin përpjekje për të fshehur shkeljet e ligjit zgjedhor të shtetit të New Yorkut nga Trumpi.
Fillimisht, dënimi i Trumpit ishte parashikuar për më 10 korrik, por u shty për nëntor. /Telegrafi/