Shumë VIP-a shqiptarë kanë sytë atje, ana e errët e modernitetit të Dubait

Nga Rafia Zakaria, Internazionale

Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi që ka punuar më shumë se të tjerët për t’i ngjarë Perëndimit. Burj Khalifa, rrokaqielli më i lartë në botë, dominon vijën bregdetare të qytetit plot shkëlqim të Dubait, duke treguar zellin teknokratik të Emirateve.

Rrugët janë të pastra. Kudo një aziatik apo një zezak është gati të mbledhë mbeturinat e hedhura përtokë. Për ata që duan të argëtohen ka bare dhe klube ku alkooli derdhet lumë si në Nju Jork, Londër apo si çdo vend tjetër që tërheq të rinjtë dhe të pasurit.

Dritat neon shkëlqejnë në qendrat tregtare të mbushura me produkte nga e gjithë bota:parfume qindra dollarëshe, marka të modës së lartë që nuk përmbajnë etiketat e çmimeve, makina që kushtojnë më shumë se sa një shtëpi e vogël në Mesperëndimin e SHBA-së.

Shumë njerëz janë të magjepsur nga modernizmi i Dubait. Ju mund të ndjeni menjëherë gëzimin në fytyrat e turistëve perëndimorë teksa enden nëpër dyqanet që nuk paguajnë taksa, të mbushura me ëmbëlsira, produkte kozmetike, ora dore etj.

Këtu ata mund të luajnë, blejnë, t’i shmangen taksave dhe të grumbullojnë mallra luksoze si kurrë më parë. Në Dubai, kapitalizmi mbretëron i qetë, dhe nxjerr në pah para turistëve të gjitha simbolet e statusit të tij, që i dëshirojnë të gjithë.

Aty ka dyqane Apple, madje edhe Tesla. Nëse shkoni aty me paratë tuaja me vete – siç kanë bërë mashtruesit, ish-diktatorët dhe pushtetarët -ju mund t’i shpenzoni duke blerë këto gjëra, ose t’i investoni në tregun lokal të pasurive të patundshme.

Bota që nanuriset ende nën iluzionin e demokracisë liberale, e di se “martesa” e Dubait me modernitetin është një farsë. Lista e njohur e mëkateve të Dubait, ripërtërihet vazhdimisht. Një nga shembujt më të fundit, është një raport nga qendra e studimeve amerikane Carnegie Endowment for International Peace, që u bën thirrje udhëheqësve të Uashingtonit të merren me “problemin e rolit të Dubait në nxitjen e korrupsionit global”.

Raporti thekson se në këtë qytet janë aktive kategori të ndryshme, nga komandantët afganë të luftës, tek kleptokratët nigerianë, nga mafiozët rusë tek ata evropianët që pastrojnë para. Këta njerëz sjellin para brenda dhe jashtë bankave lokale, që nuk janë aspak të interesuara për origjinën e këtyre parave.

Dubai është “një magnet për paratë e pista”, thuhet në raport, dhe aty ka një treg të lulëzuar të arit, të lidhur me praktikat të mjegullta të biznesit. Por dokumenti i Carnegie, ashtu si studime të tjera që në të kaluarën kanë folur për anën e errët të Dubait, nuk e vë në dyshim faktin se Emiratet konsiderohen tani një simbol i modernitetit neo-liberal.

Përmbledhja e raportit, përmban vetëm një përmendje të trajtimit çnjerëzor që Dubai rezervon për punëtorët emigrantë:“Shumë prej tyre trajtohen si një mall, edhe përmes të ashtuquajturës kafala, një sistem shfrytëzimi që ka disa gjëra të përbashkëta me trafikimin e qenieve njerëzore”.

Ironikisht, për një raport që kërkon të denoncojë korrupsionin, kjo referencë e ndrojtur për gjendjen e dhjetëra mijëra punëtorëve që jetojnë si skllevër, është tashmë një fshehje më vete. Në vend se ta vërë theksin tek shumë abuzime të gjeneruara nga sistemi, ai i normalizon ato.

Studimi i Carnegie, është vetëm dëshmia e fundit se si bota e pasur, Kombet e Bashkuara dhe sistemi financiar që lindi pas marrëveshjeve të Bretton Woods janë mësuar që të shmangin vëmendjen nga krimet e kryera në vende si Dubai.

Diktatet e neoliberalizmit, të cilët ngrenë lart homo oeconomicus, kanë të bëjnë më shumë me krimet financiare sesa me mirëqenien e njerëzve. Por mëkati më i madh Dubait, është përdorimi i skllevërve bashkëkohorë. Sipas Nicholas Cooper, autor i studimit akademik “Qyteti i arit, qyteti i skllevërve:Skllavëria në Dubai”, shumica e skllevërve janë të punësuar në sektorin e ndërtimit. Sistemi kafala, bën që këta njerëz të mbeten të lidhur me punëdhënësin që i ka çuar aty.

Sikurse e zbulova duke biseduar me disa pastrues në aeroportin e Dubait, janë këta punëdhënës që vendosin mbi pagën e tyre:shpesh (dhe veçanërisht në këtë periudhë) ata nuk paguhen, ose marrin vetëm rrogën e 1 muaji, duke mos marrë të tjerat.

Nëse emigrantët arrijnë të shkëputen nga punëdhënësit e tyre, dhe të punësohen diku tjetër (pa një kontratë të rregullt), viza e tyre konsiderohet automatikisht e skaduar. Dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, kjo nënkupton marrjen e një gjobe të majme. Prandaj,emigrantët e kanë të vështirë të dalin nga kjo skemë shfrytëzimi.

Aftësia e Emirateve të Bashkuara Arabe për t’u shtirur nuk njeh kufij, qoftë në modernitetin fiktiv apo në vlerat e pretenduar që i jepen artit apo kulturës (Art Dubai, një nga panairet kryesore të artit në Lindjen e Mesme, tërheq rreth 30.000 vizitorë çdo vit).

Nga ana e tyre, Emiratet e Bashkuara Arabe e dinë se sa e dobishme është të keni një fasadë të së drejtave të njeriut. Për këtë arsye,sjellja e këtij vendi nuk vihet kurrë në dyshim. Për shembull në vitin 2014, faqja Jadaliyya në Lindjen e Mesme denoncoi punën e një ojq-je të quajtur Organizata Ndërkombëtare e Gjirit (IGO).

IGo prezantohej si një organizatë e të drejtave të njeriut që publikonte studime mbi abuzimet e pësuara nga punëtorët emigrantë, por në fakt ajo ishte një makineri e propagandës shtetërore. Ajo e kishte selinë në Gjenevë të Zvicrës, por “drejtonte një degë” në Dubai. Në krye të IGO-s, kishte zyrtarë që mbanin marrëdhënie shumë miqësore me sundimtarët e Emirateve.

Ashtu si bankat në Dubai, të cilat e fshehin paligjshmërinë pas një fasade ligjshmërie, IGO prodhoi dokumentarë dhe investigime, por në vend se të denonconte kushtet e tmerrshme të punëtorëve emigrantë dhe njerëzve që ishin akuzuar padrejtësisht për terrorizëm apo torturat ndaj të cilave u nënshtrohen punëtorët e shtëpive, ata kopjuan propagandën e Emirateve, duke lavdëruar përmirësimet e pretenduara nga qeveria.

Shembulli i IGO-s është domethënës, pasi tregon se sa e lehtë është ta mbushësh gojën me qëllime të mira, pa pasur ndonjë qëllim për t’i ndjekur ato. Nëse bankat në Dubai lejojnë transaksione me sisteme të paligjshme, me siguri që ojq-të false mund të bëjnë të njëjtën gjë.

Mbi të gjitha, në epokën aktuale të zhgënjimit liberal dhe entuziazmit populist, organizatat humanitare, madje edhe ato me kompetenca ekzekutive si Kombet e Bashkuara, janë të paafta për të fajësuar qeveritë që vrasin dhe skllavërojnë më të rrezikuarit.

Dubai nuk është vetëm një rast i mbretërisë së errët dhe kriminale. Është një përfaqësim i rendit post-liberal, ku kapitalizmi kërkon fitime dhe shkel të dobëtit, dhe ku nuk ka asnjë mënyrë për të shpëtuar njerëzit që konsiderohen si dëme anësore të transaksioneve të tij.

Dubai, ky nekropol post-liberal, imponon mizorinë e tij mbi qindra mijëra njerëz.

Për shkak se sundimtarët e saj e dinë se vlerat e të drejtave të njeriut, barazia ekonomike dhe gjinore janë reduktuar në fjalë të bukura, për t’u ekspozuar në intervale të rregullta përmes ojq-ve fasadë. E ardhmja, edhe ajo pas Trumpit, paralajmëron shumë më tepër edhe se sa Dubai. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina