Shuplakë evropiane për SHBA-të: Ukrainasve iu ofrua një marrëveshje “fitim-fitim” për mineralet e rralla, Trump mbetet duarbosh

Bashkimi Evropian i ofroi të hënën Ukrainës një marrëveshje të vetën për “materialet kritike”, pikërisht në momentin kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni është afër arritjes së një marrëveshjeje me Kievin për të drejtat mbi burimet e tij të mëdha natyrore.

Komisioneri evropian për strategjinë industriale, Stéphane Séjourné, tha se u prezantoi zyrtarëve ukrainas në Kiev një propozim konkurrues gjatë vizitës së Komisionit Evropian, me rastin e trevjetorit të pushtimit të plotë rus.

“Njëzet e një nga 30 materialet kritike që i duhen Evropës mund të sigurohen nga Ukraina në një partneritet fitim-fitim”, tha Séjourné.

Ai theksoi se “vlera e shtuar që Evropa ofron është se asnjëherë nuk do të kërkojë një marrëveshje që nuk është e dobishme për të dyja palët”.

Trump po kërkon gjithnjë e më agresivisht të drejtat mbi pasuritë minerale të Ukrainës, duke kërkuar madje 500 miliardë dollarë kompensim për mbështetjen që Uashingtoni i ka dhënë Kievit në mbrojtjen kundër pushtimit rus, shkruan Politico.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deri më tani ka refuzuar të nënshkruajë dy draft-marrëveshje të propozuara nga administrata Trump, duke theksuar se kushtet — për të cilat New York Times raportoi se përfshijnë heqjen dorë të Kievit nga mineralet, të ardhurat nga nafta dhe gazi, si dhe fitimet nga portet dhe infrastrukturat e tjera në vlerë prej 500 miliardë dollarësh — janë tepër të ashpra.

“Nuk do të nënshkruaj diçka që dhjetë breza ukrainasish do të detyrohen ta shlyejnë”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp të dielën.

Por Trump këmbënguli të hënën se “marrëveshja përfundimtare” është “shumë afër” dhe se do të përfshijë “metale të rralla të tokës dhe gjëra të tjera”.

Ukraina zotëron rezerva të mëdha të elementeve dhe mineraleve kyçe, nga litiumi te titani, që janë thelbësore për prodhimin e teknologjive moderne dhe shumë të kërkuara në garën globale për burime.

Gjithashtu, Ukraina ka rezerva të mëdha qymyri, si dhe nafte, gazi dhe uraniumi, por një pjesë e madhe e këtyre burimeve ndodhet në territoret nën kontrollin rus.

Kategoritë
BotaLajme