Si do të quhet qeveria e re në Gjermani: Nga “koalicioni shqiptar” te “koalicioni buburrec”

Partitë CDU/CSU dhe SPD kanë arritur sot një marrëveshje për të formuar qeverinë e re gjermane për katër vitet e ardhshme. Menjëherë pas njoftimit, në mediat gjermane dhe në rrjetet sociale ka shpërthyer debati tradicional: Si do të quhet kjo koalicion i ri?

Emërtimi i koalicioneve qeveritare në Gjermani është një traditë e kahershme politike. Për shembull, koalicioni i mëparshëm mes të Gjelbërve, FDP dhe SPD u quajt “koalicioni semafor”, sipas ngjyrave përfaqësuese të partive: jeshile, e verdhë dhe e kuqe.

Para zgjedhjeve, flitej për bashkëpunime të mundshme mes CDU-së dhe të Gjelbërve, që u quajtën “koalicioni kiwi”.

Në këtë frymë, janë dhënë tashmë edhe propozimet për koalicionin CDU/CSU – SPD, i cili historikisht është quajtur “Große Koalition” (Koalicioni i Madh).

Friedrich Merz, kancelari i ardhshëm, ka propozuar rikthimin e emrit “GroKo” (shkurt për Große Koalition), por problemi është se ky koalicion tashmë nuk ka më atë shumicë të fuqishme që kishte dikur, për shembull në kohën e Angela Merkel.

Liderët e dy partive kanë propozuar emrin formal “koalicioni kuq-e-zi për punë”, duke theksuar se “nuk ka rëndësi emri, por puna.”

Megjithatë, kundërshtarët politikë, veçanërisht nga radhët e të Gjelbërve, kanë ofruar emra shumë më kreativë – si:

  • “Koalicioni Cola” (Colalition), për shkak të përzierjes së ngjyrave të partive, të ngjashme me ngjyrat e pijes së gazuar;
  • “Koalicioni Shqiptar”, për shkak të ngjyrave kuq e zi, që kujtojnë flamurin shqiptar;
  • “Koalicioni i Djallit”, si një thumbim politik;
  • “Blackrot”, që luan me emrin e kompanisë BlackRock ku ka punuar më parë Merz.

Në rrjetet sociale, sipas Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), emri më i pëlqyer dhe më i përhapur është “Koalicioni Buburrec” (Bubamara-Koalition) – një emër që përzien shaka, ironi dhe simbole politike.

Pra, përveç arritjes politike, koalicioni i ri duket se po sjell edhe shumë kreativitet në etiketim – ashtu siç është traditë në politikën gjermane.

Kategoritë
BotaLajme