Si e fshiu Kuvajti dhjetëra mijëra qytetarë të tij: “Shkova në aeroport dhe mbeta pa pasaportë”

Kur biznesmeni i ri Faisal mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Kuvajtit në fund të vitit të kaluar, ai mbante një nga pasaportat më të fuqishme në botën arabe. Megjithatë, ai kurrë nuk hipi në avion dhe, pasi u largua nga aeroporti, ai nuk ishte më qytetar kuvajtian.

Faisal pretendon se u ndalua përkohësisht në aeroport dhe pasaporta iu konfiskua, duke e bërë atë një nga 42,000 kuvajtianët që humbën shtetësinë e tyre në më shumë se gjashtë muajt e fundit. Vendimi për të hequr shtetësinë e mijëra njerëzve u cilësua nga gazeta Financial Times si një hap prapa për të vetmen monarki të Gjirit me një fasadë demokratike.

Qeveria pretendon se pasaportat iu janë konfiskuar atyre që i kishin marrë në mënyrë të paligjshme, ndërsa kundërshtarët e kësaj mase e shohin atë si një fushatë të qeverisë kundër qytetarëve të natyralizuar, të cilët janë bërë viktima.

“Shtetësia ime u hoq brenda natës. Tani e vetmja gjë që kam në mendje është të largohem dhe të vendosem në Dubai. Dua të largohem që këtu sepse po ndihet sikur po bëhemi një diktaturë,” tha Faisal, i cili përdori një emër të rremë.

Monarku, Emiri Sheikh Mishal Al-Ahmad Al-Jaber, vitin e kaluar deklaroi se nuk do të lejonte që demokracia të “shfrytëzohej për të shkatërruar shtetin” dhe pezulloi parlamentin për katër vjet, si dhe disa pjesë të kushtetutës. Që atëherë, janë pezulluar edhe zgjedhjet studentore dhe zgjedhjet për këshillat bashkëpunues.

Këto vendime hasën në pak kundërshtime si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, duke shënuar një ndryshim për Kuvajtin, i cili nuk ka parti politike, por ka pasur traditë të procedurave demokratike.

“Më parë, kuvajtianët mobilizoheshin për të mbrojtur institucionet e tyre demokratike dhe fuqitë e huaja ndërhynin për t’i mbështetur. Sot, kuvajtianët janë të frikësuar se mos u hiqet shtetësia, ndërsa Shtetet e Bashkuara po qëndrojnë në heshtje,” tha Kristin Smith Diwan, një studiuese e lartë në Institutin e Shteteve të Gjirit në Uashington.

Sipas saj, edhe pse shtetësia është një e drejtë themelore e njeriut, duket se nuk ka ndonjë gatishmëri ndërkombëtare për të sfiduar atë që po bën Kuvajti.

Qeveria pretendon se fushata për heqjen e shtetësisë ka në shënjestër kriminelë të huaj që kishin marrë në mënyrë të paligjshme ndihma të mëdha sociale. Kjo fushatë ka gjetur një nivel të lartë mbështetjeje publike, të krahasueshme me atë që gëzojnë politikanët anti-emigracion në Perëndim.

Megjithatë, qëndrimet e publikut filluan të ndryshojnë kur u bë e ditur se dy të tretat e atyre që humbën shtetësinë ishin gra që ishin dorëhequr nga shtetësia e tyre e mëparshme për t’u natyralizuar në Kuvajt. Këto ishin gra që kishin marrë shtetësinë dhjetë vjet pas martesës me shtetas kuvajtianë. Ka pretendime se disa nga këto gra, megjithatë, i kishin ruajtur pasaportat e tyre të mëparshme.

“E keni kaluar kufirin kur keni hyrë në çdo shtëpi në Kuvajt,” tha një avokat anonim për Financial Times, duke iu drejtuar qeverisë.

Për muaj të tërë, autoritetet kanë publikuar çdo javë lista me emrat e atyre që humbën shtetësinë dhe kanë hapur një linjë telefonike për të raportuar ata që dyshohet se e kishin marrë atë në mënyrë të paligjshme.

Ndër ata që humbën shtetësinë janë edhe persona të cilët e kishin marrë atë për shkak të kontributeve të tyre, si aktori i njohur Daoud Hussein dhe këngëtarja e famshme Nawal al-Kuwaitia.

Në një vend me 1.5 milionë banorë, vendimi për të hequr shtetësinë për 3% të popullsisë ka ngritur pikëpyetje mbi identitetin e tij si një qendër tregtare globale.

“Kohët e fundit, kohezioni social është vënë në provë. Trashëgimia jonë ka qenë gjithmonë ajo e mikpritjes ndaj njerëzve,” tha Bader al-Saif, profesor në Universitetin e Kuvajtit.

Qeveria mbron politikën e saj

Megjithatë, qeveria vazhdon të mbrojë politikën e saj. Ministri i Brendshëm, Sheikh Fahad al-Yousef, arkitekti i kësaj fushate, deklaroi javën e kaluar në një program televiziv se parlamenti kishte bllokuar më parë përpjekjet për ta trajtuar këtë çështje.

“Kemi arritur në një pikë ku nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të merrnim një masë të shpejtë dhe vendimtare. Vetëm Zoti e di se ku do të ishte Kuvajti po të kishim pritur më gjatë,” theksoi ai.

Disa kanë mbështetur këto masa të qeverisë, duke e parë këtë si një mënyrë për të ndëshkuar ata që e kanë penguar zhvillimin e Kuvajtit ndërsa fqinjët e tij kanë përparuar me plane ambicioze. Ata fajësojnë parlamentin për stagnimin e reformave.

Financial Times shkruan se Kuvajti nuk është i vetmi vend i Gjirit që ka marrë masa antidemokratike vitet e fundit; e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Arabinë Saudite dhe Katar.

“Liria e shprehjes dhe demokracia kanë qenë vlerat tona më të mëdha. A po i humbasim ato tani për të ‘pastruar’ vendin?” pyeti një financues i ri kuvajtian.

Banorët e natyralizuar janë një shënjestër e lehtë në Kuvajt, një vend që që nga viti 1961 është përballur me dilemën se kush duhet dhe kush nuk duhet të jetë qytetar. Për pasojë, dhjetëra mijëra njerëz nga fise nomade kanë mbetur pa shtetësi.

Në Kuvajt, shpesh bëhet shaka se ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili premtoi dëbimin e miliona emigrantëve pa dokumente, duhet të vijë në këtë vend dhe të mësojë nga “suksesi” i tij në heqjen e shtetësisë.

Një ish-zyrtar i qeverisë krahasoi trajtimin e kuvajtianëve të natyralizuar me retorikën e përdorur në Evropë kundër emigrantëve. Sidoqoftë, ai theksoi se dallimi kryesor është se këta individë janë qytetarë të ligjshëm, jo refugjatë.

“Nacionalizmi si përgjigje ndaj stagnimit ekonomik”

Kritikët besojnë se atmosfera nacionaliste po përdoret për të shmangur vëmendjen nga stagnimi ekonomik i Kuvajtit, ku 80% e buxhetit të shtetit shpenzohet për mbrojtje sociale dhe sektorin publik, duke lënë shumë pak për infrastrukturën.

Pasi publiku reagoi ashpër ndaj heqjes së shtetësisë, qeveria njoftoi në dhjetor se atyre që ishin natyralizuar përmes martesës do t’u riktheheshin pensionet dhe përfitimet sociale.

Përveç kësaj, ata që humbën shtetësinë nuk mund të zotërojnë tokë, biznese apo leje drejtimi dhe disa raportojnë se bankat u kanë kufizuar qasjen në llogaritë e tyre.

Kategoritë
BotaLajme