Si ndikon nxehtësia ekstreme në punën e motorit të makinës tuaj

Temperaturat ekstreme kurrë nuk janë një aleat i mirë. Në rastin e vapave verore, pasojat mund të ndihen në mekanikën, dhe akoma më shumë në elektronikën e motorit, qoftë tek makinat me motor SUS, ashtu edhe tek automjetet më të reja me motor elektrik.

Gjatë verës, kur temperaturat e larta janë mbi mesataren, udhëtimi me makinë mund të bëhet një detyrë më e komplikuar se zakonisht, si për shoferin dhe pasagjerët, ashtu edhe për automjetet tona.

Temperaturat ekstreme, qoftë për shkak të të ftohtit apo të nxehtësisë, nuk janë aleat as i elektronikës, as i mekanikës apo i komponentëve të tjerë të makinës, si frenat apo gomat. Vlen të dini se si mund të ndikojë nxehtësia ekstreme në to, që të mund të identifikoni më mirë problemet e mundshme.

Humbja e fuqisë dhe rritja e konsumit

Si ndikon nxehtësia në performancën e një motori klasik SUS? Në një motor me djegie të brendshme, qoftë ai benzinë apo naftë, ndikojnë temperaturat e jashtme që janë mbi 25 gradë Celsius, dhe problemet lindin ose përkeqësohen mbi 30 gradë, veçanërisht kur termometri kalon 40 gradë Celsius.

Për të kuptuar se si temperatura e jashtme ndikon në motorin me djegie të brendshme, fillimisht duhet të jetë e qartë se si funksionon ai.

Pra, brenda cilindrave futet ajri dhe injektohet karburanti, përzierja e të cilave do të shkaktojë shpërthimin që do të lëvizë pistonët dhe kjo do të gjenerojë fuqinë e nevojshme për të lëvizur rrotat e automjetit.

Kur themi se nxehtësia nuk ndihmon motorin të funksionojë më mirë, kjo është sepse ajri i nxehtë që duhet të hyjë në cilindrat ka më pak oksigjen në të. Në këtë mënyrë, përzierja brenda motorit nuk do të jetë ideale.

Kjo ka dy efekte të drejtpërdrejta në performancën e motorit. Nga njëra anë, motori mund të pësojë humbje fuqie, dhe situata mund të përkeqësohet nëse motori ka turbo. Nga ana tjetër, konsumimi i karburantit do të rritet, sepse motori, për të kompensuar mungesën e oksigjenit, do të përpiqet të bëjë përzierjen më të pasur duke injektuar më shumë karburant, gjë që zvogëlon autonominë.

Shumë e rëndësishme është që në gjithë këtë të funksionojë siç duhet sistemi i ftohjes dhe niveli i lëngut ftohës të jetë brenda kufijve normalë. Është e rëndësishme të mirëmbani siç duhet automjetin dhe të kontrolloni herë pas here parametrat dhe lëngjet bazë. Më mirë akoma nëse udhëtoni në orët e hershme të mëngjesit.

Si ndikon nxehtësia në automjetet elektrike?

Nxehtësia ekstreme nuk ndikon vetëm në motorin SUS, por edhe automjetet me motor elektrik mund të hasin probleme, por në një masë më të vogël. Ashtu si motorët SUS, ata gjithashtu kanë një sistem ftohjeje që kujdeset për shpërndarjen e nxehtësisë gjatë punës.

Megjithatë, ekziston një problem i vërtetë me nxehtësinë ekstreme në një automjet elektrik, dhe ky është se edhe pse motori nuk është aq i prekur, bateria është ajo që vërtet vuan.

Çdo sistem ruajtjeje energjie, pavarësisht nga gjithçka, do të vuajë më shumë nga temperaturat ekstreme.

Bateria e një automjeti elektrik funksionon optimalisht në një gamë temperature midis 20 dhe 25 gradë Celsius. Nëse këto shifra tejkalohen, reaksionet elektro-kimike që ndodhin brenda baterisë përshpejtohen, gjë që ndikon në performancën dhe jetën e saj.

Ekspertët theksojnë se problemi qëndron në uljen e autonomisë elektrike për shkak të nxehtësisë në bateri. Pa marrë parasysh faktorë të tjerë, si terreni, përdorimi i ajrit të kondicionuar apo stili i vozitjes, bateria mund të pësojë një ulje të autonomisë prej 2,8 për qind në 27 gradë, 5 për qind në 32 gradë, 15 për qind në 35 gradë, dhe autonomia mund të ulet deri në 31 për qind në temperatura ajri mbi 38 gradë Celsius.

Ashtu si me motorët SUS, posedimi i një sistemi ftohjeje me lëng është kyç për funksionimin e tyre të duhur. Pompat e nxehtësisë do të lejojnë një menaxhim më të mirë të temperaturës, veçanërisht kur bateria duhet të karikohet.

Kategoritë
Të ndryshmeTeknologji