Anipse zgjedhjet u zhvilluan ashtu siç parashihej më 9 shkurt, rezultatet duket se po zgjasin shumë. Tanimë gati po bëhet një muaj që nga dita kur u zhvilluan ato dhe certifikimi i rezultateve duket se është ende larg.
Pas numërimit të votave për subjektet politike nga qytetarët që jetojnë në Kosovë , më pas votat për kandidatë dhe numërimit të votave nga diaspora përmes përfaqësive diplomatike tanimë po zhvillohet numërimi i votave me postë.
Në përditësimin e fundit të Komisionit Qendror Zgjedhor në ueb-faqe del që nga 66.31% e votave të numëruara me postë, LVV prinë me 52.72% e ndjekur nga LDK me 29.80%, kurse PDK është e treta me 7.98%, kurse AAK-Nisma morën 3.32%, transmeton lajmi.net.
Analisti Shenoll Muharremi ka publikuar statistika se si do mund të duket përbërja e re e Kuvendit të Kosovës nëse votat e diasporës ndjekin trendin e deritanishëm.
Sipas Muharremit nëse vazhdon po i njëjti trend, LVV do ketë 48 mandate, PDK do të humb mandate dhe do të ketë 23 në fund, teksa LDK-së do i shtoheshin mandatet duke arritur në 21, me AAK-Nisma që nuk pritet të afektohet nga këto të dhëna dhe do të mbesin në 8 mandate.
Lidhur me këtë çështje lajmi.net ka kontaktuar me analistët, Magbule Sadriu Shkodra dhe Dorajet Imeri të cilët analizuan mundësitë e krijimit të qeverisë së re.
Sipas Magbule Shkodrës me trendin e treguar nga votat e diasporës, LVV mund të shkojë deri në 50 deputetë dhe do të mund ta formonte e vetme qeverinë me minoritetet jo-serbe dhe me mandatin që nuk dihet nëse e ka të fituar e të konfirmuar Nenad Rashiq.
“Nga votat e mërgatës të ardhura me postë, tani kemi përqindje tjetër të partive politike. Nga votat e mërgatës që erdhën nga konsulatat ne e pamë që LVV kishte marrë shumicën e tyre diku mbi 70%, ndërkaq nga votat me postë, po shihet se trendi ka ndryshuar Vetëvendosje nuk e ka atë përqindje. Nëse Vetëvendosje arrin të marrë 80% të votave të diasporës atëherë pritet që të ketë 50 deputetë, tani për tani i ka 48 deputetë edhe një mandat e ka fituar. Nëse arrin 50 deputetë atëherë besoj që mund ta formojë Qeverinë me minoritetet jo-serbe dhe nëse Nenad Rashiq e ka të konfirmuar mandatin e tij, do t’i bëjë 61 numra”, tha fillimisht ajo për lajmi.net.
Megjithatë, ajo beson se një qeveri e tillë do ishte e brishtë dhe se zgjedhjet e reja nuk do mund të shmangeshin në vitin e ardhshëm kur do duhet të zgjidhet çështja e presidentit.
“Kjo matematikë do të na formojë një qeveri të brishtë dhe pritet që të shkojmë në zgjedhje pas një viti pasi dihet çështja e presidentit. Nga kjo që po shohim nëse LVV fiton 49 apo 50 mandate, patjetër që kjo do shkojë në dëmë të partive të dytës dhe të tretës, pra PDK-së dhe LDK-së, ato do humbin nga një deputet”, shtoi tutje ajo.
Shkodra poashtu theksoi shqetësimet e saj për procesin e tejzgjatur të numërimit të votave, duke hedhur pyetje rreth mënyrës së transportimit të votave të diasporës nga konsulatat.
Tanimë ky proces është tejzgjatur shumë dhe kërkoj që të jepen qartësi të plota lidhur me atë se çka ndodhi me votat e transportit të votave të diasporës që votuan në konsulata, si shkoi ky proces, a ka qenë proces i rregullt dhe jo i dëmtuar? Përderisa bota po ec me shpejtësi të dritës, ne fatkeqësisht kemi mbetur ende duke numëruar, pra përkundër faktit që KQZ kishte 4 vite, nuk arriti që ta përmbyll këtë proces me një mënyrë të numërimit më efikase dhe të mos ketë këto telashe që i pamë”, përfundoi Magbule Sadriu Shkodra.
Në anën tjetër analisti, Dorajet Imeri potencoi se votat e diasporës shumica kanë shkuar për Vetëvendosjen, megjithatë ai thotë se LDK ka bërë një punë të madhe në teren, duke siguruar vota jashtë pritjeve reale që kishte opinonin publik në fillim.
“Trendet aktuale të cilat po numërohen nga diaspora tregojnë se pjesa më e madhe e tyre ka shkuar për LVV dhe në ndërkohë e dyta është LDK, kjo do të thoja se është larg pritjeve reale që kemi pasur në fillim. LDK me gjasë ka punuar shumë në terren dhe kjo ka reflektuar në kontigjentin e madh të votave që ka siguruar nga diaspora e të cilat po kthehen në mandate për të. Këto mandate të LDK-së po i zëvendësojnë mandatet e fituara nga PDK, që do thotë se PDK deri më tani ka humbur një deri dy mandate me votat që LDK i ka arritur në diasporë. Në ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar së paku edhe dy mandate të tjera nga votat e diasporës, por të gjitha këto janë të pamjaftueshme për formimin e një qeverie të re, bazuar në të dhënat që kemi tash dhe trendin që po bëhet ky numërim”, tha fillimisht Imeri për lajmi.net.
Imeri beson se qeveria e re nuk do mund të formohet pa koalicione paszgjedhore, megjithatë ai thotë se mundësi tjetër mund të jetë edhe kalimi i deputetëve nga një anë në anën tjetër.
“Kështu konstatojmë që qeveria e ardhshme e Kosovës do duhet të formohet nga një kombinim më shumë se sa i një partie fituese, që nënkupton se ndoshta përveç minoriteteve jo-serbe të cilat LVV i ka të gatshme për qeverisje, do duhet të jetë i përfshirë edhe ndonjë deputet tjetër apo parti politike për të formuar një shumicë të re në Kuvendin e Kosovës. Natyrisht, deklaratat momentale të partive politike nuk mund të na ofrojnë një shpresë të madhe për të pasur një bashkëqeverisje mes subjekteve politik dhe rrjedhimisht konsideroj që sfida do jetë në sigurimin e ndonjë vote të deputetëve të rinj të cilët do mund potencialisht të kaloj nga njëra anë në anën tjetër”, shtoi ai.
Për fund ai jep edhe një skenar tjetër, ai i votimit të një qeverie të pakicës.
“Mund të ketë edhe një skenar tjetër, ajo e votimit të një qeverie të pakicës në të cilën partitë politike duke e ditur se si do rrjedh procesi politik, formojnë një shumicë e cila nuk do të ketë përkrahjen e gjerë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, përfundoi Imeri për lajmi.net.
Kujtojmë që Kosova mbajti zgjedhjet parlamentare me 9 shkurt, teksa KQZ pati probleme të mëdha teknike në procesimin e rezultateve në ueb-faqen zyrtare. Madje në ueb-faqe të KQZ-së si fillim u publikuan përqindje që nuk përkonin me rezultatet reale.
Sfidat e numërimit të votave vazhdojnë ta përcjellin KQZ-në, teksa ende nuk ka certifikim të rezultateve edhe pse kanë kaluar tre javë që nga përfundimi i zgjedhjeve.