Si u prit Daku tek Rubin Kazani pas rikthimit nga Euro 2024 – tregon trajneri Rakhimov

Sulmuesi shqiptar Mirlind Daku i është bashkuar Rubin Kazanit në stërvitje pas rikthimit nga Euro 2024.

Këtë e ka bërë të ditur vet trajneri i skuadrës ruse, Rashid Rakhimov, mirëpo Daku nuk ishte pjesë e ekipit në miqësore që Rubini e kishte luajtur të shtunën, por është bërë pjesë e grupit të lojtarëve.

“Daku është rikthyer. Ai është mirë. Djemtë kanë biseduar me të dhe ne e kuptojmë se situata të tilla mund të ndodhin. Ju e keni parë një incident të ngjashëm me Demiralin e Turqisë. Fatkeqësisht, futbolli sot është i përzier me politikën”, ka thënë Rakhimov.

Rakhimov në fund shpjegoi shkurtimisht se çfarë i ka komunikuar futbollistit shqiptar.

“Puna e një lojtari është që të ndajë futbollin nga politika. I kam thënë Dakut këtë, dhe ai tani ka nevojë që të fokusohet në futboll”, ka thënë trajneri i Rubin Kazanit.

Daku kishte marrë vëmendjen e të gjithëve në Euro 2024 kur i nxiti tifozët në kor të këndojnë këngë fyese ndaj serbëve dhe maqedonasve.

Për këtë veprim që ai kishte bërë, UEFA kishte marrë vendimin që ta dënojë me dy ndeshje moslojë./

Kategoritë
LajmeSport