Kur bëhet fjalë për sëmundjet që lidhen me zemrën, presioni i lartë i gjakut është një nga gjendjet më të zakonshme.
Gjaku ka nevojë për një presion të caktuar për të pompuar nëpër trup, por kur ky presion bëhet shumë i lartë, ai mund të dëmtojë ndjeshëm arteriet dhe enët e gjakut.
Kur presioni i lartë i gjakut bëhet një problem kronik, mund të çojë në grumbullimin e pllakave në muret e enëve të gjakut. Sa më shumë pllaka të ketë, aq më të ngushta janë enët e gjakut, duke e bërë edhe më të vështirë pompimin efikas të gjakut.
“Në SHBA, 47 për qind e popullsisë është diagnostikuar me hipertension. Obeziteti, diabeti, mungesa e stërvitjes, dieta e varfër, konsumi i tepërt i alkoolit, përdorimi i duhanit dhe gjenetika të gjitha kontribuojnë në rrezikun e hipertensionit”, thotë Dr. Rand McClain për SheFinds.
Sipas vlerësimeve, 18 për qind e të gjitha vdekjeve në nivel global mund t’i atribuohen hipertensionit (rreth 9.4 milionë njerëz). Dhe problemi më i madh është se presioni i lartë i gjakut mund të mos shfaqë asnjë simptomë. Kjo është arsyeja pse quhet vrasësi i heshtur.
Simptomat e para të presionit të lartë të gjakut mund të jenë; dhimbje koke, gjakrrjedhje nga hunda, lodhje, probleme me shikimin, gulçim, rrahje të shpejtë dhe zhurmë në vesh. Megjithatë, matja e presionit është baza si për vendosjen e diagnozës ashtu edhe për monitorimin e efekteve të terapisë.