Sipas gazetës së afërt me Netanyahun, Izraeli është i shqetësuar nga veprimet e Türkiyes në Siri

Një zyrtar politik izraelit i paidentifikuar pretendohet të ketë thënë që “aktivitetet e Türkiyes në Siri” janë bërë “një nga prioritetet më të rëndësishme” për Tel Avivin në ditët e fundit

Gazeta “Israel Hayom”, e njohur për afërsinë e saj me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ka shkruar se administrata e Tel Avivit është e shqetësuar për veprimet e Türkiyes në Siri, transmeton Anadolu.

Në lajmin e gazetës pretendohet se pas rënies së regjimit 61-vjeçar Baath, “Türkiye po përpiqet ta kthejë Sirinë në një shtet satelit duke zëvendësuar Rusinë dhe Iranin” dhe se kjo “është bërë një burim shqetësimi në rritje” për zyrtarët izraelitë.

Një zyrtar politik izraelit i paidentifikuar pretendohet të ketë thënë që “aktivitetet e Türkiyes në Siri” janë bërë “një nga prioritetet më të rëndësishme” për Tel Avivin në ditët e fundit.

Gjithashtu pretendohet se administrata izraelite “ka planifikuar dy takime kritike në ditët në vijim” për të diskutuar “lëvizjet e Türkiyes në Siri”.

Ndër të tjera, thuhet se një nga këto takime do të zhvillohet nën drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe tjetri nën drejtimin e kryeministrit Netanyahu.

– “Veprimet e presidentit Erdoğan po i bëjnë liderët izraelitë të humbin gjumin”

Theksohet se zyrtarët izraelitë besojnë se Türkiye është bërë fuqia më efektive në Siri pas përmbysjes së regjimit të Asadit.

Në lajm thuhet se zhvillimet e fundit në Siri dhe veprimet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan “kanë shkaktuar net pa gjumë për liderët politikë dhe të sigurisë izraelite”.

Sipas lajmit, i cili pretendon se Tel Avivi “është përgatitur për mundësinë që Türkiye të bëhet një kërcënim strategjik”, zyrtarët izraelitë mendojnë se “veprimet e Türkiyes në Siri kanë potencialin të krijojnë fërkime serioze midis dy vendeve”.

– Vëmendja tërhiqet mbi marrëdhëniet mes Izraelit dhe PKK/YPG-së

Izraeli ka një marrëdhënie që vazhdon prej një kohe të gjatë me organizatën terroriste PKK/YPG, theksohet në lajm, ku thuhet se Tel Avivi nuk dëshiron të përballet drejtpërdrejt me Ankaranë për këtë çështje.

Pas zhvillimeve të fundit në Siri, ka tërhequr vëmendje rritja e lajmeve në shtypin izraelit lidhur me Türkiyen.

Sipas një lajmi të botuar në gazetën “Jerusalem Post” këtë javë, Komiteti Nagel i krijuar me udhëzim të Netanyahut, paraqiti një raport ku thuhej se administrata e Tel Avivit duhet të jetë i përgatitur për një “luftë të mundshme” me Türkiyen

Kategoritë
BotaLajme