Sipas opozitës greke, qeveria humbi në Samitin e NATO-s në Madrid

Alexis Tsipras kritikoi ashpër deklaratat e qeverisë e cila është shprehur se është e kënaqur me rezultatin e samitit

Kreu i partisë kryesore opozitare në Greqi, Aleancës së Majtë Radikale (SYRIZA), Alexis Tsipras, deklaroi se politika e jashtme e ndjekur nga qeveria greke në Samitin e NATO-s të mbajtur në Madrid ka qenë e pasuksesshme dhe tha se në samit Türkiye-s (Turqisë) iu dha mbështetje e plotë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur rreth politikës së jashtme të Greqisë për OPEN TV, Tsipras kritikoi ashpër deklaratat e qeverisë e cila është shprehur se është e kënaqur me rezultatin e samitit.

“A jemi të kënaqur që embargoja e armëve e vendosur nga Finlanda dhe Suedia ndaj Turqisë është hequr? Masa jonë është që (Presidenti) Erdoğan të mos sjellë në rendin e ditë sovranitetin e Rodosit, Kios dhe Lesbos? A është e mundur të themi se jemi të kënaqur sepse nuk ka sjellë në rendin e ditës sovranitetin e ishujve grek?” deklaroi Tsipras.

Tsipras tërhoqi vëmendjen në koston e armatosjes

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis po ndjek një politikë të jashtme të rrezikshme që shkon nga disfata në disfatë, tha Tsipras i cili lidhur me aplikimin zyrtar të Greqisë për të blerë F-35 nga SHBA tha se “(Mitsotakis) për të mbuluar disfatat e tij deklaron gjithmonë një (program) armatosjeje”.

Tsipras rikujtoi krizën ekonomike që e çoi Greqinë në prag të falimentimit dhe nënvizoi nevojën për të qenë të kujdesshëm për koston e armatosjes.

Edhe qasjen pozitive të presidentit amerikan Biden për shitjen e avionëve F-16 ndaj Türkiye-s, Tsipras e ka konsideruar si një dështim të qeverisë Mitsotakis dhe ka vlerësuar se “atë që shikuam në samit duhet të na shqetësojnë. Çështja nuk është vetëm shitja e F-16, por mbështetja totale (e dhënë ndaj Türkiye-s)”.

“Po të isha unë kryeministër do të kthehesha në këmbë nga Madridi”

Në lidhje me samitin dhe konfirmimin nga ana e Evropës për përkufizimin “Egjeu Turk” (TurkAegean) të përdorur nga Türkiye në fushatën e saj të turizmit në Egje, Tsipras tha:

“Pësuam një disfatë diplomatike të hidhur. Nëse do të kisha qenë unë kryeministër në Madrid dhe kjo do të kishte ndodhur dhe në të njëjtën kohë, sikur përkufizimi “TurkAegean” të ishte regjistruar nga Türkiye si markë reklamuese, do të kthehesha në këmbë nga Madridi”.

“BE, somnambul që përparon në humnerë”

Tsipras, gjithashtu ka kritikuar edhe politikën që Bashkimi Evropian (BE) ka ndjekur për Ukrainën, ku ai për BE-në përdori përkufizimin “somnambul që përparon në humnerë”.

Pasi deklaroi se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë e kanë vënë BE-në në një situatë të vështirë, Tsipras tha se “nëse lufta vazhdon, ne mund të përballemi me rrezikun e racionimit të energjisë elektrike”.

Më tej Tsipras vuri theksin që qeveria Mitsotakis nuk ka mundur të menaxhojë mirë as ekonominë dhe se ka vendosur vendin në rrezik në politikën e jashtme. “Mitsotakis ndoshta po planifikon zgjedhjet në shtator”, shtoi Tsipras.

Kategoritë
BotaLajme