Siri, shirat e dendur ndikojnë negativisht në kampet në Idlib

Halid Ahmed, i cili është vendosur në kampin Haxhi Halid në Idlib pasi u largua nga sulmet e regjimit të Asadit, për AA tha se pas shiut të dendur natën, nga uji u përmbytën tendat e më shumë se 60 familjeve

Disa tenda kanë mbetur nën ujë pas shiut të dendur që gjatë orëve të natës përfshiu qytetin e Idlibit në veriperëndim të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Halid Ahmed, i cili është vendosur në kampin Haxhi Halid në Idlib pasi u largua nga sulmet e regjimit të Asadit, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se pas shiut të dendur natën, nga uji u përmbytën tendat e më shumë se 60 familjeve.

Të gjitha sendet e familjeve mbetën nën ujë, theksoi Ahmed, i cili tha: “Niveli i ujit të shiut u rrit rreth një metër. U përpoqëm të hapnim kanale me lopata”.

“I bëmë thirrje për ndihmë ekipeve të mbrojtjes civile. Familjet e prekura u strehuan në tendat e fqinjëve. Natën në çdo tendë qëndruan nga tetë familje. Shumë fëmijë janë dërguar në spital”, tha ai.

Ndërkaq, edhe Merjem Hammud, një nga banoret e kampit, u shpreh se shumë fëmijë janë prekur nga uji dhe balta.

Hammud bëri të ditur se natën e kaluan tek fqinjët e tyre.

“Nuk kemi përjetuar një natë të tillë në jetën tonë. Dy fëmijët e mi janë me aftësi të kufizuara, nuk mund të ecin. Të gjitha sendet dhe ushqimet tona kanë mbetur në ujë dhe nën baltë. Mua më ndihmuan fqinjët”, tha ajo.

Po ashtu, Ahmed Husejin, një tjetër banor, shpjegoi se vëllezërit dhe motrat e tij janë prekur nga shirat dhe balta dhe se tenda e tyre dhe të gjitha sendet kanë mbetur nën ujë.

Kategoritë
BotaLajme