Siri, të mbijetuarit nga tërmeti kërkojnë të afërmit e tyre në varrezat e personave “të panjohur”

Mijëra njerëz që humbën jetën nën rrënojat në zonat e katastrofës u varrosën nga të afërmit apo të njohurit e tyre, ndërsa disa trupa identiteti i të cilëve nuk u përcaktua u varrosën nga autoritetet lokale.

Disa nga personat që humbën jetën në veriperëndim të Sirisë, të prekur nga tërmetet me qendër në Kahramanmaraş, u varrosën përpara se të përcaktohej identiteti i tyre.

Popullata e cila përpiqet të mbijetojë në kushtet e luftës civile në Siri, e cila pothuajse ka lënë pas vitin e saj të 12-të, u trondit nga tërmetet në Kahramanmaraş më 6 shkurt.

Tërmetet, të cilët shkaktuan plagë të thella në zonat afër provincës Hatay në veriperëndim të Sirisë, shkaktuan shkatërrime të rënda dhe vdekje.

Mijëra njerëz që humbën jetën nën rrënojat në zonat e katastrofës u varrosën nga të afërmit apo të njohurit e tyre, ndërsa disa trupa identiteti i të cilëve nuk u përcaktua u varrosën nga autoritetet lokale dhe njerëzit e rajonit para se të përcaktohej identiteti.

Kjo metodë është përdorur edhe më parë në varrimin e atyre që humbën jetën në sulmet e kryera nga regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij në zona të mbushura me njerëz si nëpër xhami, shkolla apo tregje.

Në këtë metodë, fytyra e të ndjerit fotografohet me celular ose aparat fotografik para varrimit dhe si të dhëna përdoren pamja dhe rrobat e tyre.

– Aliu regjistroi në kujtim përshkrimet e funeraleve anonime

Mahmud Ali, 55-vjeç, i cili jeton në vendbanimin Jinderes, ku qindra persona humbën jetën në rrethin Afrin, mori pjesë në varrimin e viktimave të tërmetit.

Ali, i cili mbeti i pastrehë në orët e para të tërmeteve, vendosi familjen në një tendë aty pranë dhe mori pjesë në punimet në varreza.

Ai mësoi përmendësh përshkrimet e personave të paidentifikuar, trupat e të cilëve u varrosën në varrezat e qytetit.

Një pjesë të ditës, Ali e kalon në varreza, ndihmon ata që kërkojnë të afërmit e tij duke treguar përshkrimin e varrimeve.

Në një prononcim për Anadolu, Ali tha se të varrosurit këtu nuk i njihte askush. “Për shkak të situatës së tërmetit askush nuk njihej. Këtu kishte edhe fëmijë, njëri ishte me pallto të gjelbër dhe tjetri me pallto të kuqe”.

Duke thënë se rajoni përjetoi një fatkeqësi të madhe, Ali tha: “Unë i kam mësuar përmendësh të gjitha gjërat që kemi varrosur këtu. Nëse dikush vjen në varreza dhe pyet për ato që kemi varrosur në mënyrë anonime, do të doja të ndihmoja duke bërë një përshkrim. Unë vij këtu çdo ditë”.

– “Trupat janë varrosur në varre të numëruara sipas procedurave”

Ministri i Shëndetësisë së Qeverisë së Përkohshme siriane, Meram al-Sheikh, për personat e paidentifikuar që humbën jetën në tërmete tha: “Ne regjistruam përshkrimet e tyre dhe i varrosëm në përputhje me rrethanat. Trupat u varrosën në varre të numëruara sipas procedurave. Për ata që duan të gjejnë varret e të afërmve të tyre në të ardhmen, janë bërë fotografi të të ndjerit (para se të varrosej)”.

Duke thënë se një kopje të të dhënave për varret pa emër e kanë ndarë edhe me këshillat vendore, Sheikh tha se janë të gatshëm t’i ndajnë këto detaje me institucionet përkatëse në lidhje me identifikimin e personave anonimë.

Sheikh thekson se populli sirian përjetoi fatkeqësi të ngjashme në sulmet e regjimit të Asadit dhe mbështetësve të tij. Ministri i Shëndetësisë deklaroi se ata morën mostra gjaku nga disa viktima që ishin bërë të panjohura nga bombardimet, duke marrë parasysh mundësinë e testeve të ADN-së në të ardhmen.

Kategoritë
BotaLajme