Ministri sirian i financave ka njoftuar se qeveria do të rrisë pagat për shumë punonjës të sektorit publik me 400% nga muaji i ardhshëm, pasi të përfundojë ristrukturimi administrativ i ministrive për të rritur efikasitetin dhe përgjegjshmërinë e tyre.
Rritja, e cila do të kushtojë afërsisht 127 milionë dollarë, do të financohet nga burimet ekzistuese shtetërore, si dhe nga ndihma rajonale, investime të reja dhe përpjekje për të zhbllokuar asetet siriane jashtë vendit.
“(Ky është) hapi i parë drejt një zgjidhjeje të menjëhershme për realitetin ekonomik në vend,” tha për Reuters Mohammed Abazeed, ministri i financave në qeverinë e përkohshme siriane. Ai shtoi se pagat për punonjësit e sektorit publik do të shpërndahen këtë javë.
Këto masa janë pjesë e një strategjie më të gjerë të qeverisë së përkohshme siriane për të stabilizuar ekonominë e vendit pas 13 viteve konflikti dhe sanksionesh.
Pagat e punonjësve të sektorit publik në Siri, gjatë regjimit të rrëzuar të presidentit Bashar al-Asad, ishin rreth 25 dollarë në muaj, duke i vendosur ata nën kufirin e varfërisë, së bashku me shumicën e popullsisë, tha Abazeed.
Fillimisht, do të kryhet një vlerësim gjithëpërfshirës për 1.3 milionë punonjës të regjistruar në sektorin publik për të hequr nga lista e pagave ata që figurojnë si punonjës fiktivë. Rritja do të zbatohet për ata që kanë kualifikime profesionale, akademike dhe aftësi të nevojshme për rindërtim.
Thesari shtetëror sirian po përballet me sfida likuiditeti për shkak të luftës. Pjesa më e madhe e parave të disponueshme në bankën qendrore i referohet valutës siriane, e cila ka humbur shumë nga vlera e saj. Megjithatë, qeverisë së re i është premtuar ndihmë nga vende rajonale dhe arabe, tha ministri.
Qeveria pret të rikuperojë deri në 400 milionë dollarë nga asetet e ngrira siriane jashtë vendit, që do të mund të bashkëfinancojnë shpenzimet fillestare shtetërore.