Sirianët kërkojnë të afërmit përmes letërnjoftimeve të gjetura në një qendër paraburgimi në Damask

Pas rënies së regjimit Baath më 8 dhjetor, mijëra familje siriane kërkojnë të afërmit për të cilët nuk kanë lajm prej vitesh. Pasi u gjet një qendër sekrete paraburgimi në Aeroportin Ushtarak Mezze në Damask, shumë familje filluan të vijnë këtu

Pas rënies së regjimit të partisë Baath, familjet siriane kërkojnë të afërmit e tyre duke përdorur letërnjoftime dhe pasaportat në qendrën e paraburgimit në Aeroportin Ushtarak Mezze në kryeqytetin Damask, raporton Anadolu.

Pas rënies së regjimit Baath më 8 dhjetor, mijëra familje siriane kërkojnë të afërmit për të cilët nuk kanë lajm prej vitesh. Pasi u gjet një qendër sekrete paraburgimi në Aeroportin Ushtarak Mezze në Damask, shumë familje filluan të vijnë këtu.

Familjet, të cilat nuk mund të gjejnë të afërmit e tyre mes të liruarve pas përmbysjes së regjimit, gjurmojnë të afërmit e tyre duke ekzaminuar qindra letërnjoftime dhe pasaporta që mendohet se u përkasin njerëzve të mbajtur në qendër.

Ibrahim Abdulasker, i cili ishte në kërkim të vëllait të tij, i cili u arrestua në Damask nga forcat e sigurisë së regjimit në vitin 2016, për Anadolu tha: “Ne kërkojmë vëllain tonë Majid. Më parë mësuam se ai mbahej në seksionin e kuq të burgut ‘Sednaya’. Ai u burgos në vitin 2016. E kërkova në të gjitha njësitë e sigurisë në Damask dhe në burgje, por nuk e gjeta”.

Ai thotë se erdhi në qendrën e paraburgimit në Aeroportin Ushtarak Mezze me shpresën për të gjetur gjurmët e vëllait të tij. Abdulasker tha se nuk gjeti asnjë provë nëse vëllai i tij ka vdekur apo jo.

“Nëse është gjallë, a është mendërisht mirë a jo?. Unë nuk di asgjë për të. Aktualisht jam në Aeroportin Ushtarak Mezze. Ndërsa forcat e regjimit po arratiseshin nga këtu, mblodhën gjithçka dhe i hodhën jashtë. I hodhën letërnjoftimet, pasaportat, gjithçka. Këto dokumente mund të jenë shpresa ime e fundit për të gjetur vëllain tim. Deri tani nuk kam gjetur asgjë. Nëse dikush e njeh, ju lutemi të na kontaktoni”, tha Abdulasker.

– “Kam ardhur për të gjetur identitetin tim”

Jusuf Haldan, i cili më parë ishte mbajtur për një kohë në qendrën e paraburgimit dhe torturës këtu, tha: “Vëllezërit tanë revolucionarë na shpëtuan. Unë u mbajta këtu rreth një muaj e gjysëm. Forcat e regjimit hodhën të gjitha kartat dhe sendet tona dhe ia mbathën. Kështu që unë erdha të gjej letërnjoftimin tim, nuk e di se ku është tani”.

Haldan tha se të burgosurit në qendër iu nënshtruan torturave të ndryshme. “Këtu shumë njerëz u trajtuan padrejtësisht. Të burgosurit ishin të pafajshëm. Askush nuk i kishte duart me gjak”, tha Haldan.

Kategoritë
BotaLajme