Situata është përshkallëzuar, gropat kërcënojnë të “gëlltisin” qytetin brazilian: Është shpallur gjendje e jashtëzakonshme

Autoritetet në një qytet në pjesën braziliane të Amazonës kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pasi janë hapur gropa të mëdha që kërcënojnë qindra shtëpi.

Disa ndërtesa në Buriticupu, në shtetin Maranhão, janë shkatërruar tashmë, ndërsa rreth 1.200 njerëz nga 55.000 banorët rrezikojnë të humbasin shtëpitë e tyre për shkak të zgjerimit të gropave.

“Gjatë muajve të fundit, përmasat janë zgjeruar në mënyrë eksponenciale duke iu afruar ndjeshëm rezidencave”, thuhet në dekretin emergjent të lëshuar nga qeveria lokale më herët këtë muaj për gropat.

Gropat e fundit janë përshkallëzim i një problemi që banorët e Buriticupusë e kanë vëzhguar gjatë 30 viteve të fundit, pasi shirat kanë eroduar gradualisht tokën që është e ndjeshme për shkak të natyrës së saj ranore, së bashku me ndërtimet e planifikuara dobët dhe shpyllëzimin.

Erozionet e mëdha të tokës në Brazil njihen si “voçoroca”, një fjalë me origjinë indigjene që do të thotë “shkëputje e tokës”, shkruan Guardian.

“Problemi përkeqësohet gjatë periudhave me reshje të dendura shiu, si tani”, thotë Marcelino Farias, gjeograf dhe profesor në Universitetin Federal të Maranhão.

Kategoritë
BotaLajme