S’ka asgjë “veresi”, anëtarësimi i plotë i Kosovës në KiE ndërlidhet menjëherë me Asociacionin

Nisja e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duket se do të jetë ajo me të cilën Kosova do t’i paguajë dy lajmet e mira që i mori brenda pak ditësh nga Bashkimi Europian. Pas liberalizimit të vizave dhe hapit të parë të suksesshëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës, nga SHBA-ja dhe Gjermania erdhën mesazhet se formimi i Asociacionit tani po konsiderohet i pashmangshëm. Ambasadori gjerman Jorn Rohde e tha haptazi se anëtarësimi në KiE është i ndërlidhur me implementimin e marrëveshjeve të dialogut me Serbinë

Një komitet i përbashkët monitorues është themeluar në Bruksel për ta mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes së fundit bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, për zbatimin e kësaj marrëveshjeje e cila u konsiderua historike nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, duket se Kosova do të kushtëzohet më shumë në proceset e saj integruese.

Pasi kryeministri Albin Kurti u shpreh i gatshëm për zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes së fundit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova brenda një jave mori dy lajme shumë të mira.

Fillimisht, më 18 prill Parlamenti Europian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke i përmbyllur procedurat vendimmarrëse në këtë proces. Të nesërmen në Strasburg u nënshkrua akti ligjor i Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave. Ndërsa sot, vendimi për liberalizimin e vizave u botua në Gazetën Zyrtare të BE-së, duke e përmbyllur kështu të gjithë procesin.

Të hënën Kosova e bëri një hap të rëndësishëm edhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Europës. Komiteti i Ministrave votoi me mbi 2/3 e votave të shteteve anëtare pro procedimit të aplikimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Europës. Si dëshmi se ky proces është i lidhur me dialogun Kosovë-Serbi shërben fakti se vendimi u mor vetëm gati një vit pas aplikimit.

Tani, nëse nuk paraqitet ndonjë pengesë rrugës, Asambleja Parlamentare e KiE do ta diskutojë dhe votojë në një takim të radhës në qershor ose tetor një raport të cilin do ta përgatisë vetë.

Ndërlidhjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare me zbatimin e marrëveshjes me Serbinë, e konfirmoi të hënën edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

“Pas vendimit të javës së kaluar për vizat, votimi i sotëm i Këshillit të Europës për ta përcjellë aplikacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare e sjell vendin sërish më pranë familjes europiane. Gjermania dha mbështetje të plotë në këtë hap. Urimet e mia për të gjithë kosovarët! Vazhdimi i zbatimit të Ohrit duke përfshirë Asociacionin është vendimtar për të ecur përpara!”, shkroi Rohde në Twitter.

 

Mundësia që Kosova dhe Serbia t’i injorojnë pikat që s’iu pëlqejnë fort është trajtuar specifikisht në marrëveshjen e fundit të dakorduar më 28 shkurt në Bruksel dhe më pas në aneksin e zbatimit për të cilën kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq u morën vesh më 18 mars në Ohër.

Një pikë aty nënkupton se zbatimi i marrëveshjes do t’u kërkohet të dyja vendeve në çdo hap që ato do ta hedhin drejt integrimit në BE. Ndonëse fjala “sanksione” mungon në marrëveshje, një pikë në fund përfshinë porosinë e qartë se mosimplementimi do të ketë pasoja për proceset integruese të të dyja vendeve dhe për ndihmën financiare të Bashkimit Europian.

Ambasadorja e Serbisë në Këshillin e Europës, Aleksandra Gjuroviq vlerësoi se vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave për ta mbështetur pranimin e Kosovës në organizatë është demonstrim i fuqisë së shteteve të QUINT-it me në krye Gjermaninë.

Ajo tha se Kurti e ka nxitur situatën që Berlini të interesohej shumë që procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE të niste menjëherë.

“Sipas asaj që kemi mundur të dëgjojmë në takime joformale, arsyeja e kësaj është kushti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të paraqitet në takimin e 2 majit dhe ta prezantojë draftin Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por që paraprakisht të nis procedura për anëtarësimin e Kosovës në KiE”, ka thënë Gjuroviq në televizionin publik serb.

Tash Asociacioni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 2 maj në Bruksel.

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka konfirmuar të dielën se çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të shqyrtohet në atë takim, për të cilin tha se po bëhen përgatitje intensive. Pritet të miratohet edhe deklarata për personat e zhdukur, për të cilën pati një pajtim në takimin e fundit të kryenegociatorëve.

“Agjenda do të përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për Personat e Zhdukur, prezantimin e draft-Statutit të parë të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë nga ekipi menaxhues dhe çështjet aktuale”, ka shkruar Lajçak në Facebook.

Prandaj, ai ka thënë se presin që “të dyja palët të vijnë në Bruksel të përgatitura mirë dhe plotësisht të përkushtuara në fazën e zbatimit”.

Për takimin e 2 majit foli të hënën edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, duke thënë se “është e qartë se tani është koha për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Kurti deklaroi të hënën se është i gatshëm për këtë takim, por s’e përmendi Asociacionin.

“Gjithmonë jam gati për takimet e nivelit të lartë, të cilat organizohen me lehtësimin apo ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Edhe takimi i radhës do të mbahet në Bruksel si zakonisht, me ç’rast duhet të diskutohet se si edhe marrëveshja Brukselit, edhe aneksi i zbatimit nga Ohri që është pjesë integrale do të zbatohen pa vonesa dhe në plotni”, tha ai para gazetarëve.

Kategoritë
LajmeVendi