​S’ka kuorum për rezolutën e LVV-së mbi rritjen e çmimeve

Në mungesë të kuorumit nuk është hedhur në votim rezoluta për adresimin e rritjes së çmimeve, pasi që në sallën plenare në momentin e votimit ishin vetëm 57 deputetë.

Kryekuvendari Glauk Konjufca tha se për vazhdimin e seancës së sotme plenare do të njoftojë ditët në vijim.

Ndërsa, ushtruesja e detyrës së shefes së GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, duke prezantuar rezolutën për adresimin e rritjes së çmimeve, tha se përmes saj dhe hartimit të ligjit për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore, s’do të ketë fitime të mëdha për një grup të vogël të bizneseve.

“Ofron mundësinë e vendosjes së rrjetës mbrojtëse në situatat kur hapësira për të abuzuar me pozitat dominuese ndjeshëm rritët, bashkë me probalitetin e ndikimit negativ te një numër i madh i qytetarëve, të cilët shkallën e lëndueshmërisë e kanë më të lartë. Ajo çfarë ne po propozojmë është dhënia e mundësisë së vlerësimit real të shpenzimeve dhe çmimeve të produkteve të importuara dhe atyre të prodhuara në vend”.

Kusari theksoi se ekonomia e Kosovës nuk ka arritur të forcojë bazën e prodhimit vendor dhe për shkak të importit të madh, qytetarët po përballen me inflacion të lartë.

“Duke i njohur prodhuesve dhe importuesve shpenzimet dhe fitimin, por duke siguruar se në asnjë mënyrë nuk do të krijohen hapësira për një pozitë dominuese apo abuzuese, që sjellin fitime të mëdha për një grup të vogël të bizneseve. Në situatën e krizës së inflacionit, e cila nuk ka kursyer as ekonomitë të mëdha, dizajnimi i pakos për mbrojtjen e qytetarëve nga ndikimi i lartë do të varet nga specifikat e ekonomisë së vendit”, tha Kusari-Lila.

Kategoritë
LajmeVendi