S’ka kuorum për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të formohet Komisioni Hetimor Parlamentar që do t’i hetojë kontratat njëburimore të Qeverisë Kurti. Kjo pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marr pjesë në votim, raporton Ekonomia Online.

Gjatë diskutimit që ka zgjatur rreth tri orë, deputetët e opozitës e kanë akuzuar pushtetin për numër të madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë kësaj qeverisje.

Në sallë ishin të pranishëm 63 deputetë, ndërsa në votim morën pjesë 26 përfshirë edhe Konjufcën që votoi pro themelimit të këtij komisioni.

Ata kanë kërkuar që Prokuroria të merret me hetimin e tyre. Por deputetët e pushtetit kanë thënë se themelimi i komisionit është ia panevojshëm dhe ka mohuar akuzat e opozitës se në këtë qeveri janë lidhur më shumë kontrata njëburimore se në qeveritë e kalaruar.

Shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka refuzuar t’i paraqesë në Kuvend pesë emrat e grupit të saj për komisionin hetimor, me arsyetimin se duhet të binden se opozita po kërkon zgjedhje fillimisht e pastaj i dërgojnë emrat.

“Shumë lartë e vlerësojmë ofertën për pesë anëtarë, ne frikësohemi se komisioni po i shtyn zgjedhjet e shumëkërkuara nga opozita dhe nuk po dimë a janë më me prioritet komisionet apo zgjedhjet. Derisa ta marrin vendimin dhe derisa të jemi të bindur se këta vërtetë po kërkojnë zgjedhje ne nuk i kemi këta 5 emra”, ka thënë ajo.

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka propozuar një datë për zgjedhje.

“Marrë parasysh josinqeritetin e këtyre dhe frikën për të shkuar ne e dimë që ajo ka qenë vetëm një lojë fjalësh sepse këta nuk guxojnë ta shpërndajnë kuvendin më 9 qershor. Nuk mundet me kaq lehtësi dhe me këtë sportivitet kaq të madh me anashkalu votimin e një komisioni hetimor”, ka thënë Tahiri.

Kurse, Driton Selmanaj nga LDK ka thënë se komisioni hetimor duhet të themelohet, ndërkohë ka treguar pozicionin e partisë për zgjedhje.

“Atë që mund të them në emër të LDK, ne kemi filluar me u dashuruar në postulatin hajnat në burg, por jo hajnat në zgjedhje. Ne po duam hajnat vërtetë të përfundojnë në burg. Mesa po e shohim VV po do me shku me postulatin hajnat në zgjedhje sepse po i duhen paratë për të bërë fushatë edhe një herë. Ne insistojmë në themelimin e komisionin hetimor”.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se VV-ja po i ik temës së komisionit hetimor sepse ka frikë.

“Është një ikje nga tema nga komisioni hetimor që në fakt është frika e qeverisë me u ballafaqu me të vërtetën dhe mos emërimi i kandidatëve e vërteton pohimin tonë se tenderët njëburimorë janë vatra korruptive e kësaj qeverie”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi