Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se forcat ukrainase kanë kapur dy shtetas kinezë që, sipas tij, kanë marrë pjesë në veprime luftarake në anën e ushtrisë ruse.
Sipas tij, kapja ka ndodhur në rajonin e Donjeckut, dhe tek të ndaluarit janë gjetur dokumente identifikimi, karta bankare dhe të dhëna personale.
“Ushtria jonë, në territorin e Donjeckut, kapi dy shtetas kinezë që luftonin si pjesë e ushtrisë ruse. Janë gjetur dokumentet e këtyre të kapurve, kartat bankare, të dhënat personale,” ka shkruar Zelensky në një postim në Telegram, të shoqëruar me një video të njërit prej burrave të kapur.
Zelensky pretendon se shërbimet e inteligjencës disponojnë informacione që tregojnë se në njësitë ruse ka një numër shumë më të madh shtetasish kinezë se sa këta dy. Ai shtoi se është duke u zhvilluar një verifikim i të gjitha fakteve dhe se në hetim janë përfshirë shërbimi i inteligjencës, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe Forcat e Armatosura të Ukrainës.
Presidenti ukrainas theksoi se i ka dhënë urdhër ministrit të punëve të jashtme të Ukrainës që të kontaktojë menjëherë Pekinin dhe të kërkojë një shpjegim se si Kina planifikon të përgjigjet ndaj kësaj situate.
“Përfshirja e Kinës, drejtpërdrejt apo tërthorazi, në këtë luftë në Evropë nga ana e Rusisë është një sinjal i qartë se Putini nuk ka qëllim ta përfundojë luftën. Ai po kërkon mënyra për ta vazhduar atë. Kjo padyshim kërkon një përgjigje. Një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa dhe të gjithë ata në botë që dëshirojnë paqe,” theksoi Zelensky.
Dy shtetasit e kapur kinezë aktualisht ndodhen nën juridiksionin e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, ndërsa veprimet operative dhe hetimore janë duke vazhduar.